Erblira Bici, një nisje e shkëlqyer

E ka mbyllur sezonin e shkuar në një formë të shkëlqyer, duke e ndihmuar skuadrën e saj, Romën, të fitojë Kupën e Italisë në Seria A2, por edhe të ngjitet në nivelin më të lartë të kampionatit italian të volejbollit të femra, në A1. Dhe Erblira Bici e ka vazhduar aty ku e kishte lënë, duke e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në rikthimin e saj në Serinë A1 me Romën. Volejbollistja 1 me 86 cm e lartë ka spikatur në takimin e javës së parë, teksa Roma ka triumfuar të dielën në 5 sete në fushën e Valefolias.
Në fakt, ka qenë një betejë e vërtetë kjo ndeshje, teksa ka zgjatur plot 2 orë e 38 minuta dhe të 3 setet e para kanë zgjatur 34 minuta, i 4-ti 31 dhe, madje edhe i 5-ti, që është më i shkurtër, ka zgjatur 25 minuta. Ka qenë skuadra vendase që e ka fituar setin e parë 25-22, por skuadra e volejbollistes shqiptare ka reaguar, duke marrë fillimisht setin e dytë me shifrat 25-20 dhe atë të 3-të 25-19 dhe duke kryesuar kështu 2-1 me sete. Ka qenë pikërisht Bici që ka shënuar direkt nga shërbimi pikën e 25-të, që i ka dhënë Romës fitoren e setit të 3-të.
Megjithatë, skuadra vendase nuk është dorëzuar, duke u kthyer ta fitojë setin e 4-t me shifrat 25-19, duke e çuar gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit. Aty ku Valefolia ka kryesuar 11-7, por pika e 8-të e realizuar nga volejbollistja kuqezi, ka shënuar kthimin e rrjedhës së lojës në favor të skuadrës kryeqytetase që vijon ta fitojë setin e 5-të me shifrat 15-12 dhe gjithë takimin 3-2 me sete.
Dhe, për paraqitjen e saj, duke qenë edhe pikëshënuesja më e mirë, Erblira Bici është shpallur edhe si “Lojtarja Më e Vlefshme” (MVP) e ndeshjes. Takimi i radhës për Romën dhe Bicin është përballja e 15 tetorit në shtëpi me Kierin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




