E diela zi kombëtare, shtyhet Kupa e Shqipërisë

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Tragjedia e ndodhur në Greqi në përplasjen e trenave në luginën e Tempit pranë Larisës, e cila shkaktoi mbi 60 humbje jete, mes të cilëve dhe shqiptarë, ka bërë të ndjeshëm këdo në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën e 5 marsit e ka shpallur ditë zie kombëtare me flamurët gjysëm shtizë në çdo institucion, si dhe me ndalim të çdo aktiviteti kulturor e sportiv. Për rrjedhojë, finalet e Kupës së Shqipërisë në volejboll femra e meshkuj, të cilat ishin vendosur të zhvilloheshin më 5 mars në Pallatin e Sportit në Farkë janë shtyrë për një datë tjetër. Ky është lajmi që konfirmohet nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, ndërsa pritet të vendoset dhe data e re e zhvillimit të këtyre ndeshjeve.

Bëhet fjalë për Skënderbeu – Partizani për femra dhe Tirana – Erzeni për meshkuj, ndërsa kështu skuadrat do të kenë ditë më shumë në dispozicion për të luajtur këto finale, që gjithsesi pritet të jenë të ethshme dhe që do të mund të vijnë drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë janë Tirana, si për femra, ashtu dhe për meshkuj, ndërsa të mërkurën, nën siglën e Skënderbeut dhe të Erzenit, volejbolli ka ulur siparin e edicionit të dytë të Ligës “Gjergj Kastrioti”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme