Europiani U-20, dështon Ertian Kofsha

Dështon Ertian Kofsha, ndërsa Kampionati Europian i moshës deri në 20 dhe 23 vjeç ka shënuar një tjetër ditë “jo” për peshëngritjen shqiptare. Kampioni i Europës për moshën deri në 17 vjeç, apo dhe medalisti i bronztë në stilin e shkëputjes në Botërorin e moshës deri në 20 vjeç në Kretë, duket se ka qenë në ditën e tij më të keqe.
Në shkëputje nuk e ka nisur garën si duhet, teksa në provën e parë nuk ngre dot 142 kilogram. Me shumë vështirësi realizon në provën e dytë 143 kilogram, por në të tretën, çfarë do ta ngjiste në zonën e medaljeve, përsëri nuk ia del me 146 kilogram. Dhe për rrjedhojë zë vendin e katërt në stilin e shkëputjes.
Edhe në shtytje, që ka pikën e tij më të fortë, nuk ia del në tre prova me 168 kilogram. Për rrjedhojë nuk renditet në dygarësh në peshën deri në 81 kilogram për moshën deri në 20 vjeç. Kampionati Europian i moshës deri në 20 dhe 23 vjeç përfundon më 25 tetor, ndërsa shpresat për medalje nga peshëngritësit shqiptarë duken të vakta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




