Atletikë/ Luiza Gega dhe Franko Burraj, të parët në Qipro

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Luiza Gega dhe Franko Burraj janë më të mirët e atletikës shqiptare në Kupën e Europës, kategoria e tretë, që është duke u zhvilluar në Limasol të Qipros. Gega ka bërë garën e saj të preferuar, atë 3000 metra me pengesa, ndërsa edhe duke mos patur kundërshtar e ka bërë gjithçka vetëm. 9’39”56 ishte koha e shtatëshkurtës së artë të atletikës shqiptare, ndërsa tanimë, e para e kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike, do të nisë të mendojë për përgatitjet për Tokio.

Një tjetër rezultat i mirë, por dhe vend i parë ka ardhur nga Franko Burraj në 400 metra, teksa ishte fitues me 46”80. Pritej shumë e më shumë prej Izmir Smajlajt në kërcim së gjati, që e ka mbyllur me 7.70 metra duke zënë vendin e dytë. Një rezultat të mirë ka arritur Redia Dauti, e cila në 3000 metra me kohën 9’48”43 ka zënë vendin e pestë.

Më tej akoma në 400 metra, Iljana Beqiri është e shtata me 57”29. Janë marrë dhe dy vende të teta me Uibi Ahmeti në 400 metra me pengesa me kohën 1’06”17 dhe Relaksa Dauti në 800 metra me 2’19”51, si dhe një vend i nëntë me Florian Latën në 400 metra me pengesa me 58”74.

E skualifikuar Elisa Myrtollari në 100 metra, kurse Milen Caco ka zënë vendin e njëmbëdhjetë në kërcim së larti me 1.80 metra. Dhe në fund të ditës së parë dhe dy vende të trembëdhjeta me Daniel Gurin në 100 metra me 11”47, si dhe Ilir Këllezin në 5000 metra me 17’28”21. Kështu atletika shqiptare vijon të ketë rezultate të mira në aktivitetet ndërkombëtare nga të përhershmit Luiza Gega dhe Franko Burraj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme