Rama zbulon projektet për Vlorën: Do të bëhet një nga destinacionet më të kërkuara të Mesdheut
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në takimin përmbyllës sot në qytetin e Vlorës, u shpreh se Vlora mund t’i japë dhjetë mandate Partis Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka zbuluar projektet për qytetin e Vlorës, duke thënë se me investimet e reja, qyteti bregdetar do të bëhet një nga destinaconet më të kërkuara të Mesdheut.
Sipas tij, Vlora do të ketë pikat e porteve më të bukura të jahteve në Shqipëri, sikurse ai premtojë, do të vijnë firmat më prestigjioze të hotelerisë dhe po ashtu do të ketë akademinë e forcave ajrore të ushtrisë që do të përgatisë pilotë shqiptare
Duke kërkuar votën e vlonjatëve, Rama u bëri thirrje vlonjatëve, që më 11 maj të dalin në zgjedhje dhe të votojnë PS-në.
“Çdo vlonjat duhet të dalë nga shtëpia në 11 maj dhe të votojë. Duhet të dalë nga shtëpia se mua ma ha mendja se me tërë këto transformime që i janë bërë Vlorës dhe tërë këtë nam që i ka dalë Vlorës, e me tërë atë xhelozi që është krijuar për Vlorën për shkakun tim, nuk është mirë që PS të ngjitet në 80 e ca mandate e Vlora të mbetet prapë te 8. Por, vlonjatët i dinë më mirë vetë dhe nuk këmbëngul t’u them se e di unë më mirë. Ama dua t’i siguroj të tërë, që nëse në këto vite është bërë për Vlorën sa nuk është bërë në të tërat vitet e the të marra së bashku, në katër vitet që vijnë do bëjmë për Vlorën gjëra që sot duken të pamundura.”
Ai theksoi se në Aeroportin e ri të Vlorës do të punësohen mbi 1000 persona, kryesisht të rinj dhe të reja, ndërsa paralajmëroi nisjen e fluturimeve shumë shpejt.
Sipas Ramës, aeroporti do të shërbejë si një pikë e rëndësishme për transportin e mallrave dhe pasagjerëve, si dhe do të përfshijë një qendër për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve të kompanive më të mëdha europiane.
Në këtë prizëm, Rama u tha, “Nëse do ishim sot në 2030, këtu në Vlorë do ishte një vend që tërë Evropa do ta mbante në gojë dhe në sy si një destinacion turistik i dorës së parë. Mbajini mend këto fjalë se nuk janë fjalë fushate, lidhen me çfarë ne kemi mbjellë për Vlorën 2030 dhe për Shqipërinë 2030. Mbani mend këto fjalë që në Vlorën e fundit të kësaj dekade, do të kenë ardhur emrat më të mëdhenj, firmat më të mëdha, të gjitha ato gjëra të bukura që mblidhen rreth një vend kur ai vend bëhet xhevahir i Vlorës së turizmit mesdhetar. Vlora do të shkëlqejë në atë kurorë. Në Vlorën 2030, do të ketë mundësi për çdo vlonjat e vlonjate, por për këdo që dëshiron të vijë dhe të punojë aty ku ka punë dhe mundësi.”
Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Vlorë, ka bërë një sërë premtimesh lidhur me zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të zonës.
“Ne kem firmosur një marrëveshje dhe po në Vlorë do të kemi akademinë e forcave ajrore të ushtrisë tonë që do të përgatisë pilotë shqiptare. Njëkohësisht do të jetë derë e hapur për plotë nga vendet e tjera të NATO apo të vendeve të tjera mike. Vitet që vijnë, Vlora do të ketë pikat e porteve më të bukura të jahteve në Shqipëri. Vlora do të ketë një port turistik dhe nga ana tjetër do të jetë triporti për mallrat dhe anijet e peshkimit. Bregdeti i Vlorës do të bëhet një nga destinacionet më të kërkuara të Mesdheut.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





