Rama në Durrës: Më 11 maj do të zgjedhim për historinë, vendosen fatet e Shqipërinë në BE
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës për të përmbyllur fushatën elektorale.
Në fjalën e mbajtur gjatë mitingut përmbyllës në Durrës, kreu i PS, Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve durrsakë të votojnë më 11 maj për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Rama u shpreh se, “sot mbyllet rrugëtimi i filluar qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje, shpi më shpi derë më derë, por fillon puna intensive për të siguruar daljen e çdo zgjedhësi dhe për të siguruar që askush të mos mbetet pa votuar, ashtu sikundër duhet të vazhdojë puna edhe për të siguruar që të gjithë ata që janë jashtë Shqipërisë dhe që janë regjistruar si zgjedhës në Durrës të kthejnë zarfin, pasi asnjë zarf nuk është mirë të mbetet pa u dërguar. Në 11 maj nuk është një zgjedhje si gjitha të tjerat. Ne kemi bërë shumë palë zgjedhje. Kemi zgjedhur për qeverinë, kemi zgjedhur për bashkinë, ndërkohë që më 11 maj do të zgjedhim për historinë. Është një takim me historinë”, tha Rama.
Në këtë kontekst, Rama theksoi se, “falë një punë shumë të madhe, shumë këmbëngulëse që ne kemi bërë, por edhe falë faktit që papritur janë përputhur yjet, ylli i fatit evropian të Shqipërisë, me yllin e fatit të Evropës ne nuk mund ta humbim, ne nuk mund ta nënvlerësojmë, ne nuk mund ta trajtojmë si një mundësi që do të jetë gjithmonë aty”.
“BE është një shtëpi të pasurish. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur, ju e dini shumë mirë, janë të varfrit që e mbajnë derën hapur gjithmonë, jo të pasurit dhe kur dera e asaj shtëpie hapet, do të thotë që janë përputhur edhe interesat. Janë 27 aty brenda që duhet të bien të gjithë dakord që të hapin derën dhe ti mund të trokasësh sa të duash, ti mund të jesh gati sa të duash që të hysh aty brenda, por pa rënë në një mendje ata të gjithë, dhe pa e parë ata interesin e tyre tek trokitja jote, dera nuk hapet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se demokratët qytetarë të Durrësit nuk mund të jenë peng të Berishës.
Ai theksoi se PD është në koma dhe është iluzion që të presësh prej sa që të vrapojë.
“Një fjalë për demokratët e Durrësit. Kanë sqimë të madhe, e di shumë mirë që kanë bindjen që nuk lidhen me të përditshmen. I drejtohem qytetarisë së tyre. Sepse durrsakët kanë përgjegjësi, jo thjesht për atë që janë sot, por për atë që Durrësi ka qenë në gjithë kohërat. Sot themi është Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit. Por në kohë të tjera ka qenë Durrësi Evropa e Shqipërisë. Nuk e imagjinoj qytetarët e Durrësit, ata që flamuri i partisë tonë i acaron si demin lecka e kuqe, duhet të shohin një ngjyrë tjetër, duhet të shohin ngjyrën e detit që na lidh me Europën. Partia e tyre për momentin është në koma, nuk jep e nuk merr. Të presësh nga një parti në koma që të vrapojë është iluzion, të mendosh që qytetarët durrsakë të mbeten peng pas një bufi kënete është trishtim. I them shikojeni 11 majin si pasardhës të atyre që folën shqip për herë të parë në Durrës.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





