Vendimi i KQZ për votat e diasporës në Greqi, PS kërkon shfuqizimin: Në kundërshtim me ligjin

Partia Socialiste ka reaguar ndaj vendimit të KQZ-së për numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi.
Me anë të një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS kërkon shfuqizimin e vendimit të mëparshëm të KQZ për ndarjen e procesit të numërimit të votës së diasporës në Greqi më vete.
PS argumenton se vendimi i KQZ është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor.
“Nga ana substanciale, ky akt nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore, konkretisht vendimit nr. 22, datë 20.03.2025 i ndryshuar, të Komisionit Rregullator”, thuhet në letër.
Sipas Partisë Socialiste, nga ana e GNVJ apo KANVVJ nuk janë vlerësuar apo janë kontestuar zarfet “B”, të cilët nuk kishin asnjë shenjë dalluese apo ndonjë element të dukshëm që ti bënte ato të pavlefshëm apo të hidhte hije dyshimi mbi vlefshmërinë e tyre.
Po ashtu, në letrën drejt KQZ, PS thekson se, akti i Komisionerit është në kundërshtim me aktet ligjore, dhe i paqartë në përmbajtje.
Sipas PS, procesi i numërimit u ndërpre pa asnjë shkak të arsyeshëm dhe pa asnjë pretendim të bazuar.
“Komisioneri nuk mori masat e duhura dhe nuk ushtroi kompetencat e tij për ta zgjidhur këtë situatë, por përkundrazi, vendosi që vullneti i 53.000 shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetin Grek, të konsiderohet me “ves”, duke paragjykuar dhe duke mos I dhënë vlerën e duhur votës së shtetasve shqiptarë, duke e trajtuar atë në mënyrë të pabarabartë me votat që vijnë nga shtetet e tjera ku jetojnë shtetas shqiptarë.
Në rastin konkret, zarfat “B” kanë qenë të rregullta dhe vetëm për hir të mungesës së vullnetit të disa numëruesve për t’i numëruar janë kontestuar pa asnjë arsye”, thuhet në letër.
Disa orë më parë, KQZ vendosi numërimin e veçantë për numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin që rregullonte administrimin dhe vlerësimin e zarfeve “B”, pjesë e dokumentacionit të votimit nga jashtë, në rastet kur këto zarfe nuk vlerësohen nga Grupi i Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ) dhe/ose Komisioni për Numërimin dhe Vlerësimin e Votave nga Jashtë (KANVVJ).
Sipas vendimit të miratuar, zarfe të tilla do të mblidhen dhe ruhet në një kuti të sigurt, siç është parashikuar për kutitë e votimit brenda vendit. Kjo kuti do të mbyllet me vula sigurie dhe numrat përkatës do të regjistrohen në një procesverbal. Origjinali i këtij procesverbali do t’i dorëzohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përveç kësaj, zarfe që nuk vlerësohen do të kalojnë në një proces të mëtejshëm shqyrtimi, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve përkatëse që rregullojnë zgjedhjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





