Zbardhet agjenda e Samitit të Komunitetit Politik. Rama: Stërnipërit e Skënderbeut, krenarë për emrin e Shqipërisë

Tirana do të jetë më 16 maj 2025 mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë liderët e vendeve evropiane dhe të theksojë rëndësinë e Shqipërisë si një partner strategjik për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.
Këshilli i Europës ka publikuar agjendën e Samitit, që organizohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Agjenda – E premte, 16 maj 2025
10:00 Ardhja e personaliteteve
11:00 Ceremonia e hapjes
11:30 Fotoja familjare
11:45 Seanca e parë plenare
13:00 Dreka zyrtare
14:30 Tryezat e rrumbullakëta sipas tematikave
15:45 Takimet dypalëshe midis krerëve të delegacioneve
17:30 Mbyllja e seancës plenare
18:30 Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe homologes daneze, Mette Frederiksen
Sipas agjendës së publikuar bëhet me dije se “udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës”. Më pas do të zhvillohen tre tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë. Tema e takimit është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, mbrojtjen e demokracisë, si dhe përgatitjen dhe aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme.
“Samiti është strukturuar rreth diskutimeve në tri tryeza tematike, përkatësisht: sigurimi i Evropës dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike, Evropë për 600 milionë qytetarë: rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë evropiane përmes, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, një Evropë e hapur me kufij të sigurt: adresimi i sfidave të lëvizshmërisë dhe nxitja e fuqizimit të të rinjve,” thuhet në njoftimin e Komunitetit Politik Evropian.
Së bashku me Presidentin Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Rama: Krenarë për emrin e Shqipërisë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në sheshin “Skënderbej”. Me një mesazh simbolik në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij momenti, duke iu referuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
“Më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katër anët e Europës në sheshin tënd o Mbret dhe ne, stërnipërit e tu do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë tonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës,” shkruan Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





