Berisha: Zgjedhjet më të plaçkitura në 33 vite, Rama i bleu hapur votat e shqiptarëve

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin e zhvilluar me drejtuesit politikë të qarqeve ka deklaruar se zgjedhjet e 11 majit ishin më të plaçkiturat në 33 vite.
Sipas Berishës, Rama nuk e bëri fshetas një gjë të tillë por e bëri publikisht.
“Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim.
Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë.
Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas.
Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie.
Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 për qind të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent”, u shpreh Berisha.
Berisha vuri në dukje se ky është krimi më i madh elektoral. Sipas tij, kjo është blerje e hapur publike e votës.
Kreu i demokratëve theksoi më tej se ajo çfarë bëri Edi Rama është asgjësim i kodit zgjedhor dhe krimit elektoral.
“Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta.
Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral.
Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti.
Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit”, shpjegoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





