Konflikti në KZAZ në Yrshek, Celibashi revokon akreditimet për të gjithë vëzhguesit, shoqërohet në polici vëzhguesi i kandidatit të PS-së

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas një përplasje deri dhe fizike në qendrën e numërimit të votave në Yrshekut, ku një vëzhgues ka goditur një zyrtar të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), Remzi Mehmeti, ka revokuar të gjitha akreditimet e të gjithë vëzhguesve në KZAZ nr.30 në Yrshek, Qarku Tiranë. Revokimi i akreditimeve lidhet si me KZAZ-në ashtu edhe me Vendin e Numërimit të Votave (VNV).

Për këtë ngjarje policia ka identifikuar dhe ka shoqëruar në komisariat Rei Nozlli, (vëzhguesi i kandidatit të PS), ndërsa po merren në pyetje edhe personat që ishin të pranishëm si dëshmitar okular. Në njoftimin zyrtar, policia deklaron se në konflikt nuk përfshirë asnjë punonjës policie.
“Rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të mëtejshme proceduriale. Në lidhje me pretendimin se në konflikt janë përfshirë dhe punonjës policie, sqarojmë se ky pretendim është i pavërtetë. Vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit.”, njofton policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





