Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në, votat e ardhura nga diaspora në Greqi do të numërohen  

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Votat e ardhura nga diaspora në Greqi në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, do të numërohen. Vendimi është marrë të premten nga Kolegji Zgjedhor, i cili vendosi të rrëzojë kërkesën e PD-së, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më parë nga Komisioni i Ankesave (KAS), që votat e diasporës në Greqi të numërohen.

Ishte PS-ja që ankimoi në KAS vendimin e Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, i cili kishte bllokuar numërimin e votave të ardhura nga Greqia.

Pak para vendimit të Kolegjit ishte dhe vetë Celibashi, i cili urdhëroi numërimin e 53 mijë zarfeve me vota të ardhura nga Greqia, pasi nga verifikimet e kryera, sipas tij, nuk janë gjetur parregullsi gjatë procesit të grumbullimit të zarfeve dhe të kutive.

“Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, Kërkesëpadinë me paditëse Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, përfaqësuar nga Av.Marash Logu, në mungesë, ku i paditur është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga Ina Osmanaj. Personi i interesuar Partia Socialiste e Shqipërisë, përfaqësuar nga Elena Xhina, në mungesë.

OBJEKTI: 1. Shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 13.05.2025 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve1 . 2. Pezullimin e vendimit nr. 50, datë 13.05.2025 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, me Vendimin Nr.9 Dt.16.05.2025, unanimisht: VENDOSI 1. Rrëzimin e kërkesës padisë. 2. Rrëzimin e kërkesës për sigurimin e padisë. 3. Lënien në fuqi të vendimit nr. 50, datë 13.05.2025 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. 4. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.”, thuhet në vendim.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme