Media britanike: Vlora, qyteti idilik në Rivierën Shqiptare

Shqipëria është përfshirë në listën e vendeve që duhen vizituar këtë verë nga e përditshmja britanike “Metro”, e cila rekomandon destinacione të bukura, të përballueshme dhe më pak të mbipopulluara sesa pikat tradicionale turistike.
Në këtë listë, spikat Vlora, e cilësuar si një alternativë ideale ndaj Splitit të njohur në Kroaci.
Vlora, Shqipëri – E ngjashme me Splitin, por më paqësore
Sipas “Metro”, Vlora ofron të njëjtën klimë mesdhetare, plazhe të bukura dhe bukuri natyrore si Spliti, por pa turmat e mëdha dhe çmimet në rritje. E vendosur në Rivierën Shqiptare dhe shumë pranë Greqisë e Kroacisë, Vlora mbetet ende një perlë e fshehur për shumë turistë ndërkombëtarë.
Destinacioni ofron plazhe të virgjëra me ujë të kristaltë dhe sfond malor të mrekullueshëm, ndërsa restorantet lokale ofrojnë ushqim të shijshëm me çmime të përballueshme. Gjatë ditës mund të pushoni buzë detit Jon ose të shijoni një nga festivalet e muzikës që organizohen në zonë.
Në mbrëmje, qyteti merr jetë. Qendra historike gumëzhin nga vizitorë e vendas, me dyqane dhe restorante që ofrojnë atmosferë mikpritëse.
“Metro” shkruan se Vlora është më e qetë se Spliti, “por nuk bën kompromis kur vjen puna tek energjia dhe atmosfera”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




