Turizmi rrit besimin në ekonomi. Numri i vizitorëve çdo vit 15% më i lartë, pritet rritja e çmimeve
Ndërkohë që të dhënat e muajit maj flasin për një ngadalësim të sektorit të ndërtimit, vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon një rritje të besimit në ekonomi, e cila udhëhiqet nga sektori i turizmit.
Maji ka sjellë më shumë të huaj në vend dhe si rezultat janë rritur me 2,2% pritshmëritë e sektorit të shërbimeve. Nga ana tjetër, ekonomia po ndërton më shumë hotele, rezorte, bujtina dhe restorante, të cilat do të akomodojnë më shumë turistë të huaj.
“Ne jemi në fazën e nëshkrimit të kontratave për vitin 2026. Shikojmë që kërkesa është më e madhe se këtë vit, rreth 10–15%,” shprehet Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Ai thotë se ka një mospërputhje sa i përket kërkesës, e cila tejkalon ofertën aktuale për turistin e huaj.
“Kërkesë-oferta nuk përputhet, pasi kërkesa është më e madhe se oferta. Ka nevojë urgjente për struktura të reja akomoduese,” deklaron z. Kasa.
Për sektorin, sfidë mbetet ende trafiku i rënduar gjatë muajve të verës.
“Ka nevojë për zgjerim apo akse paralele,” thekson ai.
Me disa risi, Shqipëria edhe këtë vit vazhdon të ruajë tregjet nga të cilat origjinojnë turistët.
“Ka një risi tregu izraelit, i cili është shtuar këtë vit. Turistët nga Kosova shkojnë në mjaft destinacione nga liberalizimi i vizave dhe kjo ka bërë shpërndarjen e tregut të Kosovës ose pakësimin e numrit,” thotë kryetari i Unionit Turistik.
Z. Kasa kërkon një angazhim më të madh nga institucionet për zhvillimin e turizmit, duke e konsideruar atë si sektorin kryesor që po mbështet rritjen ekonomike. Ai thekson nevojën për një masterplan të qartë për ndërtimin e njësive të reja akomoduese, me qëllim shpërndarjen më të mirë të vizitorëve në të gjithë territorin shqiptar.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





