Protestat në Serbi, Vuçiç thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është detyruar të mbledhë Komisionin e Sigurisë Kombëtare pas protestave të fuqishme të studentëve që shpërthyen në disa qytete të vendit.
Sipas mediave vendase, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila u kryesua nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, përfundoi pak para orës 12:00.
Gjithashtu pjesë e mbledhjes ishin dhe Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, Kryeministri Đuro Macut, Ministri i Mbrojtjes, Drejtori i BIA-s, Ministri i Punëve të Brendshme si dhe krerët më të lartë të autoriteteve policore e gjyqësore.
Tre qytete kryesore në Serbi u përfshinë nga protesta të dhunshme antiqeveritare gjatë fundjavës, me Beogradin në epiqendër të përplasjeve mes qytetarëve dhe policisë.
Qindra persona u arrestuan, dhjetëra u plagosën dhe ndërtesa të Partisë Progresive Serbe (SNS) u sulmuan në Palilula dhe Zemun.
Presidenti Aleksandar Vuçiç vizitoi ambientet e dëmtuara dhe lavdëroi forcat e rendit për ndërhyrjen, duke deklaruar se “shteti është më i fortë se çdo protestë”.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçić, mohoi përdorimin e dhunës nga policia.
Protestat, të udhëhequra kryesisht nga studentët, nisën pas një tragjedie në Novi Sad, ku shembja e një pjese të stacionit hekurudhor shkaktoi 16 viktima, duke ndezur revoltën ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit shtetëror.
Protestat që vijojnë tashmë prej muajsh në Serbi, teksa duket se Lëvizja Studentore po fiton vrull, ndërsa kërkon reforma demokratike dhe llogaridhënie nga qeveria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





