Sulm me thika para ambasadës izraelite në Beograd, vritet autori dhe plagoset polici

Rajon | 55 minuta më parë

Një person është vrarë nga policia gjatë natës para ambasadës së Izraelit në Beograd, në Serbi, pasi sulmoi me thika një efektiv të xhandarmërisë. Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist, ndërsa autoritetet kanë ngritur në nivelin maksimal alarmin për kërcënimet terroriste.

Sipas deklaratës së Daçiçit, sulmuesi ishte një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se ishte nga qyteti i Shabacit. Ai dyshohet se iu afrua efektivit të xhandarmërisë me dy thika, duke bërtitur “Allahu Ekber”.

Efektivi reagoi duke qëlluar për vdekje sulmuesin, në atë që Ministria e Brendshme e përshkroi si vetëmbrojtje. Megjithatë, polici mbeti i plagosur lehtë në fytyrë nga një goditje me thikë. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës.

Pas sulmit, autoritetet serbe e ngritën nivelin e kërcënimit terrorist në maksimum, duke shpallur “alarmin e kuq”. Sipas ministrit Daçiç, kjo masë parashikon kontrolle më të rrepta sigurie dhe shtim të pranisë së forcave të rendit në objektet e ndjeshme, përfshirë infrastrukturën kritike dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme