Protestat në Serbi, ambasadori i BE: Palët të angazhohen në dialog dhe të uli tensionet. Hetim për çdo përdorim të tepërt force nga policia

Rajon | 1 vit më parë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka nënvizuar rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore, përfshirë lirinë e tubimit paqësor, dhe bëri thirrje për shmangien e çdo forme dhune ndaj kundërshtarëve politikë apo selive të partive. BE dënoi aktet e urrejtjes dhe dhunës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të angazhohen në dialog.

“Palët të mbështesin respektin për të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor. Kjo gjithashtu nënkupton shmangien e çdo lloj dhune kundër kundërshtarëve politikë dhe ambienteve të partive si një mjet për protesta politike. Dialogu midis palëve të interesuara në të gjithë spektrin politik është e vetmja rrugë përpara, si dhe përmbajtja nga retorika nxitëse dhe dezinformimi mbi protestat e vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadorit të BE në Serbi.

Ambasadori i BE-së theksoi se retorika nxitëse dhe dezinformimi mbi protestat e vazhdueshme vetëm sa e përkeqësojnë situatën. Ai kërkoi që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe në përputhje me respektimin e të drejtave themelore, duke nënvizuar se çdo dyshim për përdorim të tepërt force duhet të hetohet, veçanërisht raportet për kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve.

Më herët për protestat reagoi edhe OSBE/ODIHR ku i rikujton Serbisë detyrimin për angazhimin e saj mbi të drejtat e njeriut, i cili shprehu shqetësimin për dhunën dhe arrestimet.

Kujtojmë se një valë protestash nisi në Serbi në 1 nëntor të vitit 2024, pas vdekjes së 16 personave si pasojë e shembjes së një tende betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Ajo që nisi si një kërkesë për transparencë dhe hetime, është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër regjimit të Vuçiçit, me thirrje për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme.

Vala e protestave është përshkallëzuar deri në përplasje mes protestuesve e forcave të rendit, si dhe në përdorimin e mjeteve të forta kundrejt zyrave të partisë së Aleksandër Vuçiç.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme