Vuçiç fton protestuesit në debat. Studentët pranojnë vetëm nëse ai shpall zgjedhje të reja
Pas nëntë muajsh protestash në serbi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik përpara të gjitha televizioneve dhe portaleve.
Në videon e adresimit, ai tha se beson se do të japë gjithçka nga vetja për të treguar respekt, por se dëshiron që të dëgjohet edhe pala tjetër.
“Mendoj se është me rëndësi të madhe që ne të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të rinovojmë dialogun në Serbi. Përpjekjet e mia për t’i dëgjuar mund të mos kenë qenë gjithmonë të mjaftueshme dhe e pranoj gabimin tim. Jam gati të flas, por jo për dhunën në rrugë, sepse nuk kemi nevojë për luftë civile, konflikte dhe dhunë. Dua që të flasim së bashku për të ardhmen e Serbisë, sepse kjo është më e mira për Serbinë.
Kjo është arsyeja pse propozoj një debat televiziv në të gjitha televizionet dhe portalet me përfaqësues legjitimë të lëvizjes së bllokadës studentore, qofshin profesorë, politikanë apo studentë. Jam gati të hyj në një debat publik kundër, në fakt jo kundër, gabimit tim, por me ata që mendojnë ndryshe sepse kanë të drejtë ta kërkojnë këtë nga presidenti i tyre, duke përfshirë diskutimet për zgjedhjet dhe gjithçka tjetër”, ka thënë presidenti serb.
Nuk ka vonuar dhe përgjigjja e studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit të cilët thanë se me presidentin e Serbisë do të bisedojnë vetëm kur ai të shpallë zgjedhje të reja.
“Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore, kur të shpallë zgjedhje”, mësohet se janë shprehur studentët.
Ata i konsiderojnë zgjedhjet e reja si hap të pashmangshëm, ndërsa pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Gazetare: Jonela Sagajeva
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





