“Fëmijët e pavaksinuar nuk pranohen në shkolla”, ISHP: Prindërit të shkarkojnë kartelat e vaksinave në e-Albania

Shëndet | 1 vit më parë

Fëmijët e pavaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe, kopsht apo shkollë, siç edhe e parashikon ligji për sëmundjet infektive.

Prindërit mund të informohen përmes sistemit e-Albania për vaksinat që kanë aplikuar fëmijët e tyre, duke e shkarkuar elekronikisht kartelën me vulë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nëse në fund të kartelës del një shënim, ku fëmija juaj nuk ka aplikuar të gjitha vaksinat, duhet të paraqitet pranë Qendrës Shëndetësore për të aplikuar vaksinën e paaplikuar, ndryshe nuk do të regjistrohet. Kjo vlen edhe për fëmijët më të rritur, ata që janë në klasa të para, të dyta apo të treta, për të cilët do të ketë kontrolle nga stafet e mjekëve në shkolla për të parë a i kanë të gjitha vaksinat e moshës përkatëse,” thotë Rovena Daja, përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit.

Por vaksina që diku refuzohet e diku më shumë shtyhet në kohë, është ajo e MMR-së, ose e Fruth-Rubeolë-Shytave për shkak të lidhjes së hamendësuar me autizmin. Sot vetëm 81% e njëvjeçarëve janë të vaksinuar në kohë. Pjesa tjetër e kanë shtyrë derisa fëmijë të fillojë të flasë.

”Nuk duhet shtyrë vaksina, sepse në momentin që një fëmijë është një vjeç, imuniteti natyral nga nëna ka rënë dhe është zero. Nëse bie në kontakt me fruthin, ai infektohet dhe pasojat shkojnë deri në vdekje. Jo vetëm që mund të shtrohet në spital e mund ta kalojë shumë rëndë, por mund të humbasë edhe jetën. Prandaj fëmija duhet të vaksinohet në kohë,” apelon ajo.

Aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë rast me fruth. Nëpër konsultore këto ditë është rritur fluksi i vaksinimeve.

“Megjithatë mbulesa vaksinale me dy dozat e vaksinës MMR është 92%, ndërkohë që kjo mbulesë duhet të jetë mbi 95% për të qenë të qetë për imunitetin e tufës, pasi ka edhe fëmijë që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore. Ata mbetet të rrezikuar nëse kjo mbulesë bie,” nënvizon znj. Daja.

Kalendari i vaksinimit mbron fëmijët nga 13 sëmundje infektive. Vaksina e MMR-së kryhet në moshat 1 dhe 5 vjeç.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme