I jepet lamtumira e fundit ikonës së modës, stilistit Giorgio Armani

Me qindra admirues, miq dhe kolegë u ndanë të shtunën përgjithnjë me stilistin e famshëm italian Giorgio Armani, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 91-vjeçare.
Homazhet u mbajtën në Milano, qyteti ku ai la gjurmën e tij, por që më tej shkeli në mbarë botën me një “elegancë të jashtëzakonshme”, siç u shpreh kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ndër të parët që u paraqit për këtë rast.

“Milanoja është plot me gjurmë të Armanit. Do të jetë e pamundur ta harrojmë,” tha ai, dhe duke kujtuar një telefonatë me të ndjerin nga muaji gusht, u shpreh: “Më tha ‘E kuptoj që është një moment i vështirë. Ka gjithmonë diçka pozitive tek momentet e vështira. Miqtë e vërtetë e tregojnë veten. Unë jam miku yt i vërtetë.’ Këtë do ta mbaj mend përgjithmonë.“

Në ambientet pa zë të Teatrit Armani, ku qëndroi arkëmorti i tij, gjeje këtë fundjavë radhë pa fund njerëzish të zakonshëm, yje të Hollivudit, politikanë dhe artistë të arrirë nga fusha të ndryshme të jetës. Donatella Versace, një tjetër vigane e modës, erdhi me një buqetë me lule të bardha për mikun e saj.

“Gjurma që shpresoj që të lë ka ardhur prej punës, respektit dhe vëmendjes ndaj personave dhe realitetit. Nga aty fillon gjithçka,” ishin fjalët e fundit të Armanit, që u projektuan në një sfond të errët brenda sallës së ndriçuar me qirinj të vendosur saktësisht poshtë një fotoje të stilistit të ndjerë. E gjithë godina kundërmonte era temjan.

Mësohet se ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në kryeqytetin italian të modës, i rrethuar nga dashuria e familjarëve. Një nga projektet, me të cilat po punonte edhe ditët e fundit, ishte një sfilatë që do të shënonte 50 vitet e markës së tij dhe do të mbyllte këtë muaj Javën e Modës në Milano. Në muajin qershor ai nuk arriti të marrë pjesë në Javën e Modës për shkak të gjendjes shëndetësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




