Vrasja e Arlinda Zekajt, kuvendi Kosovës ngre Komision Hetimor, pezullohen 11 zyrtarë policorë në Pejë

Zhvillime të rëndësishme institucionale kanë pasuar ngjarjen tragjike të 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj. Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për hetimin e përgjegjësive administrative e hetimore lidhur me mënyrën se si është trajtuar ky rast dhe dhuna në familje në tërësi.
Kuvendi me votë unanime për hetimin parlamentar
Me 90 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka vendosur të themelojë Komisionin Hetimor Parlamentar, i cili do të fokusohet në “veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje”.
Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë një mandat funksional prej gjashtë muajsh:
- Kryetar: Burim Ramadani (AAK)
- Zëvendëskryetar: Adnan Rrustemi (LVV)
- Anëtarë nga LVV: Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu, Adelinë Tërshani
- Anëtarë nga PDK: Besa Kabashi-Ramaj, Eman Rrahmani
- Anëtare nga LDK: Doarsa Kica-Xhelili
- Përfaqësues nga Komunitetet: Jovana Radosavljeviq, Emilija Rexhepi
Zxhinxhiri i komandës në Pejë përballet me pezullim
Paralelisht me vendimin e Kuvendit, Policia e Kosovës ka marrë masa disiplinore ndaj zinxhirit drejtues dhe hetimor në rajonin e Pejës. Mbështetur në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), janë suspenduar nga detyra 11 zyrtarë policorë.
Mes të pezulluarve përfshihen drejtues të lartë të policisë rajonale dhe stacionit lokal:
- D. Drejtori Rajonal dhe Shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë
- Komandanti, Zv.komandanti dhe Shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor Pejë
- D. Shefi i Sektorit të Operativës në Pejë dhe Komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë
- Katër hetues policorë të Stacionit Policor Pejë
Masat e marra bazohen në Ligjin për Policinë dhe procedurat disiplinore në fuqi, ndërsa IPK po zhvillon hetim paraprak për të analizuar veprimet ose lëshimet e mundshme gjatë trajtimit të rastit.
Nga Policia e Kosovës bëhet me dije se suspendimet u ndërmorën “në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale”, duke ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e integritetit dhe bashkëpunimin e plotë me organet e drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




