Rrëzimi i helikopterit të EUFOR-it në Bosnje, Hoxha dhe Nufi: Shqipëria krah Italisë në këtë moment të vështirë

Rajon | 40 minuta më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas ngjarjes tragjike pranë Brçkos në Bosnje-Hercegovinë, ku një helikopter i misionit të EUFOR-it u rrëzua, duke shkaktuar humbjen e tre jetëve dhe plagosjen e 12 personave.

Përmes një postimi në platformën X, Hoxha shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin e Shqipërisë me Italinë dhe komunitetin e EUFOR-it.

“Thellësisht i trishtuar nga ngjarja tragjike pranë Brçkos, në Bosnje-Hercegovinë, ku u përfshi një helikopter i EUFOR-it; ngjarje e cila mori tri jetë dhe la dymbëdhjetë persona të lënduar”, shkruan ministri.

Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe autoritetet italiane, ndërsa uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për Qeverinë dhe popullin e Italisë. Mendimet tona janë gjithashtu pranë të gjithë të lënduarve, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, theksoi Hoxha.

Ministri nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Italinë, partnere dhe aleate në NATO, si dhe për misionin e EUFOR-it, ku shërbejnë edhe ushtarakë shqiptarë.

“Në këtë moment të vështirë, Shqipëria qëndron fuqimisht krah Italisë, vendit mik dhe aleat në NATO, si dhe në krah të gjithë komunitetit të EUFOR-it, ku personeli shqiptar shërben me krenari përkrah kolegëve italianë dhe ushtarakëve të tjerë, në një angazhim të përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë”, deklaroi ai.

Ngjarja ka tronditur komunitetin ndërkombëtar të sigurisë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit ajror.

Shqipëria, përmes reagimit të ministrit Hoxha, ka rikonfirmuar solidaritetin me aleatët dhe angazhimin e saj në misionet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ministri i Mbrojtjes reagon për rrëzimin e helikopterit italian në Bosnje-Hercegovinë: Shqipëria qëndron krah Italisë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas aksidentit tragjik që përfshiu një helikopter ushtarak italian të angazhuar në kuadër të misionit EUFOR Althea në Bosnje-Hercegovinë, ngjarje që shkaktoi viktima dhe të plagosur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi shprehu pikëllimin për ngjarjen dhe solidaritetin e Shqipërisë me Italinë dhe Forcat e saj të Armatosura.

“Thellësisht i pikëlluar nga aksidenti tragjik që përfshiu një helikopter ushtarak italian, të angazhuar në kuadër të misionit EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë”, shkroi ministri.

Ai u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave dhe mbështetjen e tij për të lënduarit.

“Mendimet e mia shkojnë për viktimat, familjet e tyre dhe të lënduarit”, u shpreh Nufi.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se Shqipëria qëndron pranë Italisë në këtë moment të vështirë, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve aleate.

“Në këtë moment pikëllimi, Shqipëria qëndron krah Italisë dhe Forcave të saj të Armatosura, në solidaritet të sinqertë dhe miqësi të thellë”, deklaroi ai.

Reagimi i ministrit vjen pas aksidentit të rëndë të një helikopteri të misionit EUFOR Althea në Bosnje-Hercegovinë, i cili ka shkaktuar tronditje te komuniteti ndërkombëtar dhe vendet pjesëmarrëse në misionin e paqes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme