Kolonia ndërkombëtare “Ditët e Mios”, çelet edicioni i 16-të në Korçë
Korça mirëpret edicionin e 16-të të kolonisë ndërkombëtare të arteve figurative “Ditët e Mios”, një aktivitet që bashkon artistë nga vende të ndryshme të botës, në nderim të një prej emrave më të shquar të artit shqiptar, piktorit Vangjush Mio.
“Do të kemi piktorë që kanë udhëtuar nga Gjeorgjia, Dubai, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Korça, në fakt, është një vend i vogël, por ka një kulturë të jashtëzakonshme dhe ne kemi shumëçka për t’ju treguar sot”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”.
“Isha fare e re, në të 20-at e mia, kur punoja në televizion dhe përgatita një dokumentar për Vangjush Mion. Atëherë hyra për herë të parë në këtë godinë. Jam mrekulluar nga kjo dritare e paçmuar e kulturës shqiptare, do të thoja, ku ruhen peneli, telajoja dhe veprat e rralla të një piktori të madh si Vangjush Mio”, tha Benila Themeli, Nënkryetare e bashkisë Korçë.
Kolonia “Ditët e Mios” vijon të mbajë gjallë trashëgiminë artistike të piktorit të njohur, duke e kthyer Korçën në një vend takimi për artistë nga vende të ndryshme dhe duke forcuar shkëmbimet kulturore përmes artit figurativ.
Piktorë nga vende të ndryshme janë bërë pjesë e kësaj kolonie, duke sjellë në qytetin e serenatave përvojat, frymëzimet dhe këndvështrimet e tyre artistike. Përmes ngjyrave dhe penelatave, ata i japin jetë një tjetër takimi kulturor, që ndërthur traditën e pikturës me krijimtarinë bashkëkohore.
“Gjatë vizitës në shtëpinë-muze dhe njohjes me krijimtarinë e këtij piktori të jashtëzakonshëm, më lindi ideja që në këtë edicion të realizoj një nga peizazhet e Mios, duke e sjellë në një version modern, sipas këndvështrimit tim artistik. Sigurisht, kjo ide do të realizohet vetëm pasi të marr lejet përkatëse dhe miratimin e familjarëve të tij”, tha piktorja, Daniela Nikolova.
Aktiviteti do të përmbyllet më 31 tetor, në Galerinë e Arteve “Guri Madhi”, ku do të çelet një ekspozitë me punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë. Veprat e artistëve pjesëmarrës do t’i mbeten fondit të kësaj galerie, duke i dhuruar qytetit të Korçës një tjetër pasuri artistike dhe duke lënë një gjurmë të këtij edicioni të 16-të të “Ditëve të Mios”.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



