Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës
Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe kanë bërë të ditur se e njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt mbështetjes së një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Kjo lëvizje vjen si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët ndërkombëtare, e shpallur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Kanadaja u bë vendi i parë i grupit G7 që njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Kryeministri Mark Carney deklaroi në një postim në rrjetin social ‘X’ se: “Nga sot, Kanadaja njeh shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për të ndërtuar premtimin e një të ardhmeje paqësore për shtetin e Palestinës dhe shtetin e Izraelit.”
Ky njoftim pason qëndrimin e mëparshëm të Kanadasë për të mbështetur njohjen e Palestinës në Asamblenë e OKB-së. Menjëherë pas Kanadasë, ishte Australia ajo që shpalli gjithashtu njohjen e shtetit të Palestinës.
Kryeministri Anthony Albanese theksoi se ky vendim është pjesë e përpjekjes së përbashkët me Kanadanë dhe Britaninë e Madhe për të promovuar zgjidhjen me dy shtete.
“Australia mbështet një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete, që siguron një Izrael të sigurt dhe një shtet të qëndrueshëm palestinez”, shkroi Albanese në një letër zyrtare të publikuar nga qeveria australiane.
Gjithashtu, edhe kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës në një deklaratë video të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Në përballje me tmerrin në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe zgjidhjes me dy shtete,” tha Starmer.
Ai shtoi se momenti për njohjen e shtetit palestinez “ka ardhur tani” dhe se Britania e Madhe “në mënyrë zyrtare njeh shtetin e Palestinës” për të ringjallur shpresën për paqe.
Starmer theksoi se kjo njohje nuk është një shpërblim për Hamasin, duke deklaruar se: “Kërkesa jonë për një zgjidhje të vërtetë me dy shtete është e kundërta e vizionit të urrejtjes së Hamasit. Kjo zgjidhje do të thotë se Hamasi nuk mund të ketë asnjë të ardhme, asnjë rol në qeverisje dhe asnjë rol në siguri.”
Ai bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë, duke përmendur takimet e tij me familjet britanike të pengjeve dhe “torturën që ata përjetojnë çdo ditë”.
Të tria vendet kishin shprehur më herët synimet për të njohur shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së OKB-së, por njoftimet zyrtare të ditës së sotme shënojnë një moment kthese në politikën ndërkombëtare për konfliktin izraelito-palestinez.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




