Çmontimi i bazës së arsenalit me armë, Proda thirrje qytetarëve: Denonconi çdo rast që cenon sigurinë publike

Aktualitet | 12 muaj më parë

Pas çmontimit të bazës së arsenalit me armë të trafikuara në Tiranë, ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili garanton se efektivët nuk do të ndalen asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim.

Proda u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike.

Ai vlerëson se operacioni “The Van” ishte mjaft i suksesshëm pasi sipas Prodës, tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve.

Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

“Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik.

Falënderoj drejtuesit e DVP Tiranë dhe të gjithë efektivët që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që do të kryheshin me këtë arsenal armësh.

Policia e Shtetit nuk do të ndalet asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim.

Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke bashkëpunuar dhe duke denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike.

Çdo informacion që ndihmon Policinë për parandalimin apo goditjen e krimeve është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e përbashkët.

Vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe besimit të ndërsjellë mes Policisë dhe qytetarëve mund të ndërtojmë një mjedis akoma e më të sigurtë për të gjithë.”

-Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme”, deklaroi Proda.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme