Arsenali i armëve në fugon, SPAK dërgon për gjykim Eugert Sinon: Dyshohet se ishte drejtuesi dhe financuesi

SPAK ka përfunduar hetimet për Eugert Sinon, i arrestuar një vit më parë, në kuadër të operacionit policor “The Van”, dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sino dyshohet se kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë kriminale që lidhej me sigurimin e një sasie të konsiderueshme armësh zjarri dhe municionesh.
Nga hetimet ka rezultuar se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ai dyshohet se ka siguruar një arsenal që përfshinte pesë armë të gjata, mes tyre armë të tipit sniper, gjashtë armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra të tjerë, katër tyta armësh dhe 7,820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm. Sipas ekspertimeve të kryera, armët dhe municionet rezultuan në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për të realizuar qitje.
Për këtë çështje, Eugert Sino akuzohet për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, në rrethana të cilësuara nga ligji, si dhe për grup të strukturuar kriminal, në formën e drejtimit.
Ndërkohë, SPAK ka ndarë aktet e procedimit penal dhe ka regjistruar një procedim të ri, me numër 203/1 të vitit 2025, për të identifikuar personat e tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në këtë veprimtari. Hetimet për bashkëpunëtorët vijojnë në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Kosovës, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit:
- Eugert Sino, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit. Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme. Sipas akt- ekspertimeve respektive ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se i pandehurit Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 203 të vitit 2025, numërtimin e procedimit të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, dhe vijimin e hetimeve për kryerjen e elementëve të veprave të mëposhtme penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”;
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




