Përplasen dy trena të shpejtësisë së lartë në Spanjë, të paktën 30 viktima

Botë | 3 orë më parë

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur në provincën e Toledos. Sipas raportimeve paraprake, të paktën 30 persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet. Përplasja ka shkaktuar edhe të plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në terren për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve. Rrethanat e plota të aksidentit dhe bilanci përfundimtar i viktimave mbeten ende për t’u konfirmuar.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy trena, përkatësisht Iryo 7076, me 146 pasagjerë dhe një foshnjë në bord, si dhe AVE 2080, me 397 pasagjerë. Në total, në të dy trenat ndodheshin rreth 544 persona. Raportohet se trenat po udhëtonin në të njëjtin drejtim, kur njëri prej tyre u përplas me pjesën e pasme të tjetrit, duke bërë që disa vagonë të dilnin nga shinat. Si pasojë e aksidentit, qarkullimi hekurudhor në linjën Madrid–Andaluzia është pezulluar.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar pas aksidentit, duke u shprehur i tronditur nga ngjarja e rëndë. Ai bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Transportit dhe presidentin e rajonit Castilla-La Mancha, ndërsa shërbimet e emergjencës po punojnë për të ndihmuar të gjithë personat e prekur.

Sánchez shprehu gjithashtu ngushëllimet dhe solidaritetin e tij me viktimat dhe familjet e tyre. Ndërkohë, ministri i Transportit, Óscar Puente, po ndjek situatën nga qendra e kontrollit të emergjencave për të marrë informacionet e nevojshme mbi shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.

“Unë mbetem në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Transportit dhe me presidentin e Castilla-La Mancha. Shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për të ndihmuar të prekurit. Shpreh ngushëllime dhe solidaritet për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.” tha Sanchez në X “.

Në janar, 45 persona vdiqën në Spanjën jugore kur një tren doli nga shinat dhe goditi një tren që po vinte përballë. Aksidenti ishte më vdekjeprurësi në Spanjë që nga një aksident i vitit 2013 që vrau 80 persona.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme