Dënohet mjeku që furnizoi me ketaminë Matthew Perry-n, familja përlot sallën

Amerikë | 10 muaj më parë

Dr. Salvador Plasencia, mjeku që shfrytëzoi varësinë e yllit të “Friends”, Matthew Perry, për të përfituar financiarisht, është dënuar të mërkurën me 2 vjet e gjysmë burg nga një gjykatë federale në Los Angeles.

44-vjeçari, i cili u shpall fajtor për shitjen e paligjshme të ketaminës në javët para vdekjes së aktorit, është i pari nga pesë të pandehurit e kësaj dosjeje që merr dënimin. Përveç burgut, gjyqtarja Sherilyn Peace Garnett vendosi edhe dy vite liri me kusht pas vuajtjes së dënimit.

Megjithëse Plasencia nuk i dha dozën përfundimtare që i shkaktoi vdekjen aktorit në tetor 2023, gjyqtarja ishte e prerë në arsyetimin e saj.

“Ju dhe të tjerët e ndihmuat z. Perry në rrugën drejt një fundi të tillë, duke vazhduar të ushqeni varësinë e tij nga ketamina. Ju e shfrytëzuat atë për përfitimin tuaj,” deklaroi gjyqtarja Garnett.

Mjeku u prangos menjëherë në sallën e gjyqit, ndërsa në sfond dëgjoheshin të qarat e nënës së tij.

Momenti më i vështirë i seancës ishte dëshmia e familjarëve të aktorit. Nëna e tij, Suzanne Perry, iu drejtua mjekut duke kujtuar mesazhet telefonike të zbardhura nga prokuroria, ku Plasencia i shkruante një kolegu se Perry ishte një “idiot” që mund të shfrytëzohej për para.

“E quajte ‘idiot’,” tha ajo mes lotësh, me bashkëshortin e saj Keith Morrison në krah.

“Nuk ka asgjë idiote tek ai burrë. Ai ishte madje edhe një narkoman i suksesshëm. Mendoja se ai nuk mund të vdiste… Kjo që bëre ishte një gjë e keqe!”

Edhe motra e aktorit, Madeleine Morrison, shprehu dhimbjen e madhe: “Bota mban zi për vëllain tim. Ai ishte miku i preferuar i të gjithëve, por vdekja e tij më shkaktoi një krater në jetë.”

Para dhënies së dënimit, Dr. Plasencia shpërtheu në lot duke kërkuar falje. Ai u përpoq të shpjegonte se veprimi i tij ishte “i pamatur”, por jo me qëllim vrasjen.

“Më dhemb shumë kur mendoj se do t’i tregoj djalit tim, kur të rritet, se nuk e mbrojta djalin e një nëne tjetër. Duhet ta kisha mbrojtur atë,” tha ai.

Matthew Perry, i njohur si Chandler Bing në serialin ikonik “Friends”, vdiq në moshën 54-vjeçare nga efektet akute të ketaminës. Aktori e kishte marrë fillimisht ilaçin ligjërisht për trajtimin e depresionit, por kur mjekët e rregullt refuzuan t’ia rrisnin dozat, ai iu drejtua tregut të zi, ku u përfshi edhe Dr. Plasencia.

Katër personat e tjerë të akuzuar, përfshirë asistentin personal të aktorit dhe një tjetër mjek, pritet të dënohen në muajt në vijim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme