Kërcënimi për sulme nga Irani/ Sekretari Amerikan i Sigurisë Kombëtare: Po monitorojmë situatën për të eliminuar çdo rrezik

Amerikë | 4 minuta më parë

Sekretari Amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, duke folur pas raportimeve të fundit të mediave se inteligjenca amerikane po ndjek planet e mundshme të Iranit për të përdorur sulme me bombë theksoi se një kërcënim i tillë nuk është i ri dhe po trajtohet me seriozitetin më të lartë nga agjencitë federale.

Në një prononcim për televizionin CNBC, Mullin u shpreh se Departamenti i Sigurisë Kombëtare monitoron vazhdimisht situatën dhe punon për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj vendit.

Megjithatë, administrata amerikane ka theksuar se deri më tani nuk ka ndonjë kërcënim të afërt apo të konfirmuar drejtpërdrejt ndaj territorit amerikan.

Alarmi u ngrit fillimisht pas raportimeve të CNN, të cilat, duke cituar burime anonime nga qarqet e inteligjencës, sugjeronin se Teherani mund të ketë shqyrtuar plane për detonimin e një pajisjeje radiologjike në Uashington, D.C. Edhe pse një pajisje e tillë nuk shkakton një shpërthim tradicional bërthamor, ekspertët e sigurisë vënë in se ajo mund të shkaktojë ndotje të konsiderueshme dhe panik të madh publik.

Lidhur me këtë çështje, Presidenti Donald Trump paralajmëroi se nëse Irani do të ndërmerrte një sulm të tillë, do të përballej me pasojat më të rënda që një vend ka parë ndonjëherë. Nga ana e tij, Sekretari Mullin shtoi se një sulm i tillë ndaj qyteteve amerikane do të rrezikonte të shkaktonte një luftë gjithëpërfshirëse.

Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë të Iranit i kanë hedhur poshtë me forcë këto pretendime, duke i cilësuar ato si plotësisht të pabazuara.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, e quajti raportimin një “narrativë mediatike të fabrikuar”, ndërsa ministri i Jashtëm Abbas Araghchi i krahasoi pretendimet e inteligjencës me propagandën e përdorur para luftës në Irak, duke mohuar çdo plan apo përfshirje në skenarë të tillë sulmesh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme