Trump pret liderët e Kongos dhe Ruandës në Shtëpinë e Bardhë, pritet të firmoset marrëveshja për paqen dhe mineralet e rralla

Amerikë | 10 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump pret sot në Uashington udhëheqësit e Republikës Demokratike të Kongos dhe të Ruandës, për të nënshkruar atë që Shtëpia e Bardhë e cilëson si një marrëveshje “historike”. Pakti synon t’i japë fund konfliktit të përgjakshëm në Kongon lindore, por njëkohësisht i siguron SHBA-së dhe kompanive amerikane qasje strategjike në mineralet kritike të rajonit.

Në ceremoninë e organizuar marrin pjesë Presidenti i Kongos, Felix Tshisekedi dhe ai i Ruandës, Paul Kagame, të cilët finalizojnë një marrëveshje të arritur fillimisht në qershor, pas ndërmjetësimit të SHBA-së, Bashkimit Afrikan dhe Katarit.

Për Presidentin Trump, ky moment shihet si një mundësi për të forcuar imazhin e tij si negociator global, me shpresën e deklaruar shpesh për të fituar Çmimin Nobel për Paqen. Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet në Institutin Amerikan të Paqes, i cili sipas Departamentit të Shtetit është riemëruar së fundmi si “Instituti i Paqes Donald J. Trump”.

Megjithatë, përtej diplomacisë, interesi amerikan është thellësisht ekonomik. Rajoni është i pasur me metale të rralla, thelbësore për prodhimin e avionëve luftarakë dhe telefonave celularë. Përmes kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni synon të thyejë dominimin e Kinës, e cila aktualisht kontrollon rreth 90% të përpunimit global të këtyre metaleve.

Dhoma e Tregtisë e SHBA-së do të mbledhë gjithashtu liderë biznesi për të diskutuar investime në energji, turizëm dhe miniera.

Pavarësisht shtrëngimit të duarve në Uashington, realiteti në terren mbetet kaotik. Konflikti në Kongon lindore, ku veprojnë mbi 100 grupe të armatosura (përfshirë rebelët e fuqishëm M23 të mbështetur nga Ruanda), është përshkallëzuar ndjeshëm këtë vit.

Banorët lokalë shprehen skeptikë se firma e hedhur në SHBA do të sjellë qetësi.

“Ne jemi ende në luftë,” tha Amani Chibalonza Edith, një banore e Gomës, qytet i pushtuar nga rebelët. “Nuk mund të ketë paqe për sa kohë që vijat e frontit mbeten aktive.”

Edhe pse është nënshkruar një armëpushim, raportimet nga terreni flasin për përleshje të vazhdueshme mes ushtrisë kongoleze dhe rebelëve M23. Situata humanitare është rënduar më tej pas shkurtimeve të fondeve të ndihmës nga SHBA.

Tensionet mes dy vendeve i kanë rrënjët tek pasojat e gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë. Kongo akuzon Ruandën se mbështet rebelët e M23 për të shfrytëzuar burimet e saj, ndërsa Ruanda pretendon se ndërhyn për të mbrojtur tutsit dhe për të luftuar milicitë Hutu që u arratisën në Kongo pas gjenocidit. Ekspertët e OKB-së vlerësojnë se mijëra trupa ruandeze veprojnë aktualisht brenda territorit kongolez.

Këshilltarja e lartë e presidentit Kagame, Yolande Makolo, u shpreh se përfshirja amerikane është një hap i mirë, por jo zgjidhja përfundimtare: “Nuk kemi asnjë iluzion se kjo do të jetë e lehtë.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme