Heroizëm deri në fund të jetës, dalin pamjet e çiftit në Australi që u përpoq të ndalonte njërin prej sulmuesve

Pamje tronditëse kanë dalë në dritë që tregojnë momentet kur një çift nga Australia u përpoq me guxim të ndalonin një person të armatosur në minutat e para të sulmit terrorist në plazhin Bondi të dielën.
Viktimat janë identifikuar si Boris Gurman 69 vjeç dhe Sofia Gurman 61 vjeç, të martuar prej 34 vitesh.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë Boris Gurman duke u përballur me sulmuesin Sajid Akram, i cili kishte dalë nga makina me një flamur të Shtetit Islamik mbi xhamin e përparmë. Boris arriti ta shtyjë sulmuesin dhe t’i heqë armën nga duart, ndërsa në përballje u përfshi edhe Sofia. Pamje të mëvonshme tregojnë çiftin të shtrirë pa shenja jete në trotuar.

Familja i përshkroi Boris dhe Sofian si njerëz punëtorë, bujarë dhe të përkushtuar ndaj komunitetit. Boris ishte mekanik në pension, ndërsa Sofia punonte në Australia Post. Ata humbën jetën vetëm pak javë para përvjetorit të martesës dhe ditëlindjes së Sofias.

“Ndjejmë një krenari të thellë për trimërinë dhe vetëmohimin e tyre. Ata instinktivisht u përpoqën të mbronin të tjerët”, tha familja e tyre në një deklaratë.
Çifti Gurman janë mes 15 viktimave të sulmit, i cili ndodhi gjatë festës hebraike Hanukah. Sulmi konsiderohet më i rëndi në Australi që nga masakra e Port Arthur në vitin 1996.
Sulmuesi Sajid Akram u vra nga policia, ndërsa djali i tij Naveed ndodhet në spital nën mbikëqyrje policore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





