Mosmiratimi i kandidatëve të Listës Serbe – Ambasada e SHBA: Vendimi i KQZ shkel të drejtën e zgjedhjeve demokratike
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos miratuar listën e kandidatëve të Listës Serbe. Sipas REL, një zëdhënës i ambasadës tha se ky vendim është në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike.
Ai theksoi se çdo veprim që shkel këtë të drejtë e minon partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës- shkruan REL. Më 31 janar, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por nuk miratoi listën e kandidatëve të Listës Serbe, parti që ka mbështetje nga Beogradi.
Anëtarët e KQZ-së miratuan të gjitha listat përveç asaj të Listës Serbe. Ky vendim ka nxitur një ankesë nga Lista Serbe në Panelin Zgjedhor, që e ka cilësuar të paligjshëm dhe diskriminues. Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e quajti vendimin të pakuptimtë dhe theksoi se afati për ankesa kishte kaluar.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb mund të emërohet vetëm nga Lista Serbe, pasi ajo është partia më e madhe në këtë komunitet.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





