Pritet të dëshmojë në Kongres me ish-Presidentin, Hillary Clinton akuza për “mbulim” të dosjeve Epstein: Drita e diellit dezinfektuesi më i mirë!

Hillary Clinton ka akuzuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump për një “mbulim” në lidhje me mënyrën se si janë trajtuar dosjet që lidhen me financierin e akuzuar pwr trafikim tw miturish dhe abuzim seksual Jeffrey Epstein.
“Nxirrini dosjet. Po i zvarrisin”, tha ish-sekretarja amerikane e Shtetit për BBC në Berlin, ku mori pjesë në Forumin vjetor Botëror.
Shtëpia e Bardhë këmbënguli se, duke publikuar dosjet, ata kishin bërë “më shumë për viktimat sesa demokratët ndonjëherë”.
Kur u pyet nëse Andrew Mountbatten-Windsor duhet të paraqitet përpara një komiteti të Kongresit, Hillary Clinton tha: “Mendoj se të gjithë duhet të dëshmojnë nëse u kërkohet të dëshmojnë.”
Përmendja në dosje nuk përbën tregues fajësie. Andrew ka mohuar gjithmonë çdo keqbërje.
Clintonët pritet të paraqiten përpara komitetit të Kongresit. Bill Clinton do të paraqitet më 27 shkurt, ndërsa Hillary Clinton një ditë më parë.
Do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon përpara një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur kjo gjw ndodhi me Gerald Ford.
Bill Clinton, i cili përmendet në dosjet Epstein ka qenë i njohur me Epstein, por ka thënë se i ndërpreu kontaktet me të dy dekada më parë.
Asnjë prej Clintonëve nuk është akuzuar për keqbërje nga të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein dhe të dy kanë mohuar se kishin dijeni për veprimtarinë e tij kriminale në atë kohë.
Miliona dokumente të reja në lidhje me Epstein u bënë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në fillim të këtij muaji, pasi Kongresi miratoi një ligj që kërkon publikimin e materialeve që lidhen me hetimet ndaj tij.
Departamenti i Drejtësisë (DoJ) ka deklaruar se ka publikuar të gjitha dosjet e kërkuara nga Akti për Transparencën e Dosjeve Epstein, por ligjvënësit kanë argumentuar se publikimi është i pamjaftueshëm. Përfaqësuesi republikan nga Kentucky, Thomas Massie, bashkautor i ligjit, kërkoi që DoJ të publikojë edhe memorandumet e brendshme që përshkruajnë vendimet e mëparshme nëse do të ngriheshin apo jo akuza ndaj Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork më 10 gusht 2019, ndërsa priste, pa të drejtë lirimi me kusht, gjyqin për akuza për trafikim seksual. Kjo ndodhi më shumë se një dekadë pasi ai ishte dënuar për kërkim prostitucioni nga një e mitur, për të cilën ishte regjistruar si shkelës seksual.
Andrew, ish-princi britanik, është përballur me presion në rritje nga disa zyrtarë amerikanë dhe nga familja e akuzueses së tij të njohur, Virginia Giuffre, për të dëshmuar përpara Komitetit të Mbikëqyrjes mbi lidhjet e tij me Epstein.
Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe arriti një marrëveshje jashtë gjykate me Giuffre në vitin 2022, pa pranuar përgjegjësi. Giuffre u vetëvra në vitin 2025.
Clintonët kanë kërkuar që seanca e tyre para komitetit të Kongresit të jetë publike dhe jo me dyer të mbyllura.
“Do të paraqitemi, por mendojmë se do të ishte më mirë të ishte publike”, tha Hillary Clinton për BBC.
“Unë thjesht dua që të jetë e drejtë”, tha Hillary Clinton. “Dua që të gjithë të trajtohen njësoj.”
“Nuk kemi asgjë për të fshehur. Kemi kërkuar vazhdimisht publikimin e plotë të këtyre dosjeve. Mendojmë se drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë.”
Ish-kandidatja presidenciale argumentoi se ajo dhe bashkëshorti i saj po përdoren për të larguar vëmendjen nga Trump.
“Shikoni këtë objekt të ndritshëm. Do të kemi Clintonët, madje edhe Hillary Clinton, e cila nuk e ka takuar kurrë atë.”
Hillary Clinton tha se kishte takuar Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e dënuar të Epstein “në disa raste”.
Trump, i cili përmendet në dosjet Epstein ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me Epstein, me të cilin thotë se i ndërpreu kontaktet dekada më parë, dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim nga viktimat e Epstein.
I pyetur për komentet e Hillary Clinton në intervistë, Trump i tha BBC-së se nuk kishte asgjë për të fshehur.
“Jam shfajësuar. Nuk kam pasur asnjë lidhje me Jeffrey Epstein. Ata hynë duke shpresuar se do të gjenin diçka, dhe gjetën pikërisht të kundërtën”, tha ai në bordin e Air Force One.
“Ata po tërhiqen brenda. Dhe ky është problemi i tyre… Clinton dhe shumë demokratë të tjerë janë përfshirë.”
Në lidhje me pretendimet kundër Trump, DoJ ka deklaruar më parë: “Disa dokumente përmbajnë pretendime të pavërteta dhe sensacionale kundër Trump që iu dorëzuan FBI-së pak para zgjedhjeve të vitit 2020. Për të qenë të qartë, pretendimet janë të pabazuara dhe të rreme dhe, nëse do të kishin ndonjë grimë besueshmërie, sigurisht që do të ishin përdorur tashmë kundër Trump.”
Shtëpia e Bardhë tha: “Duke publikuar mijëra faqe dokumentesh, duke bashkëpunuar me kërkesën me thirrje të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve dhe duke kërkuar hetime të mëtejshme për miqtë demokratë të Epstein, administrata Trump ka bërë më shumë për viktimat sesa demokratët ndonjëherë.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




