Dita e fundit e deklaratave përmbyllëse në Hagë, Krasniqi: Qëndroj para jush jo si kriminel, por si njeri i kalitur në luftën për dinjitet njerëzor
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, mbajti fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues në Hagë.
Ai u shfaq me një kollare të zbukuruar me shqiponja, një detaj simbolik që lidhej me shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të festuar një ditë më parë.
Krasniqi e nisi fjalën e tij me një urim për qytetarët e Kosovës, duke u shprehur se, “Iu uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës, që dje e festuan pavarësinë e Kosovës. Qëndroj para jush jo si kriminel, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor, në një popull që refuzoi zhdukjen nga politikat dhe krimet e gjenocidit të Serbisë. Përshëndes gjithë qytetarët e Kosovës që dje festuan pavarësinë e tyre. Qytetarët që jetojnë në liri, në pavarësi dhe me drejtësi.”.
Duke e cilësuar burgimin e tij si të padrejtë dhe të panevojshëm, Krasniqi kujtoi se ka kaluar mbi pesë vite në qeli, por gjithmonë i udhëhequr nga bindja se njerëzit meritojnë të jetojnë në liri.
Ai shtoi se angazhimi i tij politik dhe jetësor ka qenë i hershëm, duke u nisur që nga vitet ’70, kur së bashku me familjen dhe bashkëkombësit e tij rrezikoi jetën për çlirimin e Kosovës.
“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt. Pa i rrezikuar asnjë njeriu të vetëm, përkundrazi kam rrezikuar jetën time, jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-73, me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës.”
Ai kujtoi momentin kur doli pa maskë para ushtarëve të UÇK-së si zëdhënës i saj, duke treguar përkushtimin e tij ndaj qytetarëve.
“Nuk u shqetësova për sigurinë time, sepse më udhëhiqte përkushtimi im ndaj të gjithë qytetarëve. Rreziqet ishin të jashtëzakonshme, por nuk u shqetësova për sigurinë time sepse më udhëhiqte përkushtimi im ndaj ytë gjithë qytetarëve të Ksovës dhe ardhmërisë së tyre.”
Para trupit gjykues, ai tha se për më shumë se pesë vjet, i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmën, atë për të jetuar në liri.
“Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm. Angazhimi im politik dhe jetësor për jetë e liri ka nisur herët. Për më shumë se 5 vjet besoj se më janë mohuar të drejtat e njerrut të garantuara nga Konventa Europiane për të drejtat e Njeriut. Ndër to më e rëndësishme është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeri në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë.”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi kujtoi daljen e tij publike më 11 qershor 1998, duke theksuar se ajo erdhi pas masakrave në Likoshan dhe Prekaz, ku, sipas tij, humbën jetën 83 civilë, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ai i cilësoi këto ngjarje si një pikë kthese për ndërgjegjen e shqiptarëve në Kosovë.
Duke folur për akuzat ndaj tij dhe ndaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Krasniqi tha se ato janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që, sipas tij, shkaktuan luftërat në ish-federatën jugosllave brenda një dekade.
“Sot ndodhem në vitin tim të 16 të burgimit. Ndodhëm në burg, sepse luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim. Thashë në vitin e 16-të, se 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga 1981-1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vite të jetë burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël, por është diçka e madhe. Dalja ime publike më 11 qershor 1998 tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi pak kohë pas masakrave serbe në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, ku humbën jetën 83 njerëz, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar dhe të paarmatosur, të vrarë në shtëpitë e tyre. Këto vrasje brutale shënuan një pikë kthesë të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh. Akuzat e prokurorisë dhe kundër nesh dhe UÇK janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra, në të gjithë federatën jugosllave, brenda një dekada të vetme. Nuk mendoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e sidomos asaj drejtësie, që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet me gjuhën e ish-shtypësve, ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe të vërtetën
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





