Shqipëria heq vizat për turistët nga Arabia Saudite dhe Katari deri në fund të vitit 2026

Turizëm | 6 muaj më parë

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të ri për të nxitur fluksin turistik nga vendet e Gjirit Persik. Përmes një ndryshimi në vendimin e vitit 2021 për trajtimin e të huajve, Këshilli i Ministrave ka vendosur të lejojë hyrjen pa viza për motive turistike të shtetasve nga Arabia Saudite dhe Katari.

Ky vendim, i propozuar bashkërisht nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministri i Punëve të Brendshme, synon të shfrytëzojë potencialin e lartë të këtyre tregjeve gjatë sezonit veror dhe festave të fundvitit.

Afatet dhe kushtet e hyrjes

Sipas aktit të sapozbardhur, ky lehtësim i lëvizjes nuk është i përhershëm, por shtrihet në një hark kohor të gjerë gjatë vitit 2026. Shtetasit e Arabisë Saudite dhe Katarit mund të hyjnë në Republikën e Shqipërisë vetëm me dokumentin “pasaportë”, pa pasur nevojë për vizë, nga data 15 prill deri më 31 dhjetor 2026.

Ky afat mbulon jo vetëm pikun e sezonit turistik, por edhe periudhën e vjeshtës dhe festat e dhjetorit, duke u ofruar operatorëve turistikë vendas një dritare më të gjatë kohore për të tërhequr vizitorë me fuqi të lartë blerëse.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat do të koordinojnë punën me pikat e kalimit kufitar për të garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt. Akti pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u bërë zyrtarisht pjesë e rregullores për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme