Mali i Zi më pranë anëtarësimit në BE, vendet anëtare dakordësi për hartimin e një traktati pranimi

Rajon | 5 muaj më parë

Mali i Zi iu afrua një hap më shumë anëtarësimit në BE të mërkurën, pasi vendet e bllokut ranë dakord të fillojnë punën për një traktat pranimi për vendin e vogël ballkanik.

“Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare vendosën të krijojnë një grup pune për hartimin e një pakti pranimi, një hap teknik, por kyç në rrugën drejt anëtarësimit”- tha një zyrtar i BE-së.

“Jemi të bindur se kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm se pranimi është i arritshëm për vendet kandidate”- shtoi zëdhënësi qipriot, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së për vendimin e marrë gjatë një takimi në Bruksel.

Podgorica ka përfunduar negociatat për 14 nga 35 kapitujt e bisedimeve. “Lajme të shkëlqyera vijnë nga Brukseli” – deklaroi ministrja malazeze për Çështjet Evropiane, Maida Gorcevic.

“Ngritja e grupit të punës ishte një tjetër konfirmim se jemi në rrugën e duhur që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028”,- shtoi ajo.

“Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat”- u shpreh Komisionerja Evropiane e Zgjerimit, Marta Kos.

“Ky hap ofron gjithashtu një mundësi për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e kaluara dhe për të përfshirë masa të reja dhe më të forta mbrojtëse në traktatet e ardhshme të pranimit për të parandaluar kthimin prapa në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore”- shtoi ajo.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, uroi vendin të mërkurën. “Vendimi për të krijuar Grupin e Punës për të hartuar Traktatin e ri të Anëtarësimit është një moment kyç”- u shpreh ai.

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, është një nga kandidatët kryesorë për t’u bërë vendi i parë që i bashkohet Bashkimit Evropian që kur Kroacia u pranua në bllok në vitin 2013.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme