Pas ‘tymit të bardhë’ nga Zvicra, çmimi i naftës zbret në rreth 80 dollarë për fuçi

Amerikë | 3 muaj më parë

Çmimet e naftës ranë të hënën pasi bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Zvicër përfunduan me deklaratën e Teheranit se kishte siguruar përjashtime për eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike, duke zbutur shqetësimet për mungesë furnizimi në tregjet globale.

Nafta e tipit Brent ra me 1.68 dollarë, ose 2.09%, duke zbritur në 78.89 dollarë për fuçi. Më herët gjatë ditës, çmimi kishte arritur në 82.30 dollarë për fuçi, i nxitur nga tensionet në fillim të negociatave, kur presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me rifillimin e luftës kundër Iranit, ndërsa Teherani njoftoi sërish mbylljen e Ngushticës së Hormuzit

Kontratat e naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) ranë gjithashtu në 76 dollarë për fuçi, ndërsa kontrata më aktive për muajin gusht zbriti në 75.16 dollarë për fuçi.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë përfunduan raundin e parë të bisedimeve në Zvicër të hënën. Negociatat nisën të dielën mbi bazën e një memorandumi mirëkuptimi të arritur javën e kaluar, i cili synon zgjatjen e armëpushimit të brishtë të vendosur në prill për të paktën 60 ditë të tjera.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi deklaroi se vendi i tij kishte siguruar përjashtime për eksportet e naftës dhe petrokimikateve, lirimin e një pjese të aseteve të ngrira dhe nisjen e një plani rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, një marrëveshje e tillë mund të rikthejë në tregjet ndërkombëtare rreth 1.5 milion fuçi naftë iraniane në ditë, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin global në një kohë kur rritja e kërkesës mbetet e moderuar.

Para nisjes së bisedimeve, numri i anijeve që kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit ra ndjeshëm të dielën, pasi Irani njoftoi mbylljen e saj, duke akuzuar Izraelin dhe SHBA-në për shkelje të marrëveshjes së përkohshme të paqes.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Liban shkaktuan të paktën 20 viktima të shtunën, vetëm një ditë pasi kishte hyrë në fuqi një armëpushim me Hezbollah, i cili synonte t’i jepte fund muajve të përshkallëzimit të dhunës.

Analistët e kompanisë ING paralajmëruan se arritja e një marrëveshjeje më të qëndrueshme do të jetë sfiduese dhe se ekzistojnë rreziqe reale për rikthimin e luftimeve gjatë periudhës 60-ditore të armëpushimit.

Megjithatë, çmimet e naftës ranë me më shumë se 8% javën e kaluar, të nxitura nga pritshmëritë për rritje të furnizimit përmes lirimit të ngarkesave të bllokuara në Gjirin Persik dhe mundësisë së heqjes së disa sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku kanë ofruar sasi shtesë nafte për klientët e tyre gjatë javës së fundit. Iraku ka njoftuar gjithashtu se planifikon të rrisë gradualisht prodhimin e naftës në mes 4.2 dhe 4.3 milionë fuçive në ditë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme