Protestë antiqeveritare në Serbi, mijëra persona mblidhen në qytetin e Kralevës
Mijëra protestues u mblodhën të dielën në qytetin serb Kraljevë, një ditë pasi presidenti Aleksandar Vuçiç u shpreh se do të dorëhiqej brenda pak javëve për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale.
Megjithëse shumë protestues u shprehën të kënaqur me dorëheqjen e Vuçiç, sërish shprehën frikën se ai mund të mos heqë dorë nga pushteti.
Analistët thonë se Vuçiç mund të garojë për kryeministër dhe në presidencë të vendosë një aleat, në mënyrë që të vijojë ushtrimin e pushtetit absolut. Vuçiç në pushtet prej 12 vitesh, prej shumë muajsh është përballur me protesta të drejtuara nga studentët, që u nxitën nga shembja në nëntor të dy viteve më parë e strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Incidenti u bë simboli i asaj që shumë serbë e cilësojnë si keqmenaxhim dhe korrupsionin qeveritar.
Në protestën e së dielës, pjesëmarrësit u mblodhën në qendër të Kraljevës dhe në duar mbanin pankarta ku shkruhej “Studentët po fitojnë”. Mijëra prej tyre valëvisnin flamurin serb. “Kjo nuk është thjesht një luftë politike, por një luftë mes të mirës dhe të keqes”, u shpreh Jelena Daniçiç, një profesore e gjuhës serbe.
Bashkimi Europian, ndërkohë, ka dënuar përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë në Serbi dhe ka ngritur shqetësime për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Para se Serbia, vend kandidat për anëtarësim në BE, por që ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, të bëhet pjesë e bllokut europian, duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, përfshirë garantimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që i duhet të përshtasë politikat e jashtme me ato të BE-së dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





