“Hëngra ketchup dhe djathë”, u shpëtua pas 32 orësh nën rrënoja, 12-vjeçarja rrëfen si i mbijetoi tërmetit shkatërrues në Venezuelë

Karina Blanco sapo ishte gati të niste orën e spinning-ut që drejtonte, kur toka nisi të dridhej. Lëkundjet u bënë gjithnjë e më të forta, ndaj ajo mori çantën dhe vrapoi jashtë bashkë me të tjerët.
“Kur kuptova sa i fortë ishte tërmeti, fillova të bërtisja: ‘Vajza ime, vajza ime’. Hipa në makinë dhe u nisa me shpejtësi drejt shtëpisë,” rrëfen Karina.
Vajza e saj e vetme, Fabiana, 12 vjeç, ndodhej në banesë kur më 24 qershor Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme, vetëm pak sekonda larg njëri-tjetrit. I dyti, me magnitudë 7.5, ishte një nga më të fortët që ka goditur vendin në një shekull.
Kur Karina mbërriti te pallati i saj në Caraballeda, në shtetin verior La Guaira, nuk u besonte syve. “Shihja një pallat, pastaj një boshllëk aty ku kishte qenë pallati im dhe më pas një pallat tjetër.”
Fabiana ndodhej në dhomën e gjumit të nënës kur ndjeu lëkundjet. Ajo vrapoi drejt kuzhinës dhe u kap pas banakut, por në atë moment muret përreth u shembën dhe e hodhën përtokë.

“Pashë gjithçka duke u dridhur, duke rënë e duke u copëtuar. Pastaj muret u çanë. Muri që ndante apartamentin tim nga ai i një mikeshe u shemb. Atë çast mendova: ‘Do të vdes. Nuk do t’ia dal. Askush nuk do të vijë të më shpëtojë’,” kujton 12-vjeçarja.
Kështu nisën 32 orë të tmerrshme. Jashtë pallatit të shembur, Karina pa gjysmën e krevatit të vajzës së saj që dilte mes rrënojave.
“Vrapoja nga njëra anë e kompleksit në tjetrën duke bërtitur: ‘Ka vdekur. Vajza ime ka vdekur’. Nuk dija çfarë të bëja.”
Nën rrënoja, gjithçka ishte bërë e heshtur për Fabianën. Ajo ishte shtrirë me fytyrën nga lart, e bllokuar nga gurë e beton nga të gjitha anët, ndërsa tavani ishte vetëm pak centimetra larg fytyrës së saj.
“Jam njeri që vuaj nga ankthi dhe klaustrofobia. Por nuk e di pse, më pushtoi një qetësi e çuditshme. Ndoshta mendja ime ishte në gjendje shoku,” thotë ajo.
Pak më vonë, një infermiere që kujdesej për fqinjët në katin sipër filloi të thërriste nëse dikush mund ta dëgjonte. Fabiana iu përgjigj. “Ajo më tha të rrija e qetë dhe se gjithçka do të shkonte mirë.”
Gjashtë orë pas tërmetit, rreth mesnatës, infermierja u shpëtua. Ajo u tregoi vullnetarëve se brenda rrënojave ndodhej gjallë edhe një vajzë me emrin Fabiana.
“Isha dorëzuar para Zotit, duke i kërkuar forcë për të vazhduar jetën pa Fabianën. Pastaj dikush më tha: ‘Vajza jote është gjallë’,” kujton Karina.
Ajo u kthye me vrap te rrënojat dhe filloi të thërriste emrin e së bijës nëpër hapësirat mes betonit. Por Fabiana nuk dëgjonte asgjë.
“Për një arsye të pashpjegueshme kisha ende shpresë dhe besim. Njëra këmbë më ishte përkulur në një pozicion shumë të dhimbshëm. Zhvendosa disa copëza rrënojash për ta drejtuar. Duke bërë këtë u gërvishta, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë. Ato më mbajtën të vetëdijshme.”
Në agim mbërriti një grup zjarrfikësish venezuelianë. Ata hynë mes rrënojave dhe thirrën Fabianën, por nuk morën përgjigje.
Ishte një tjetër moment kur Karina kaloi nga shpresa në dëshpërim. “Më thanë se nuk mund të bënin asgjë dhe u larguan. Mendova se ndoshta ishte mbytur ose kishte pësuar një atak në zemër. Pastaj një vullnetar, Viktor, erdhi dhe më pyeti çfarë kishte ndodhur. Ai ishte heroi im.”
Nën rrënoja, Fabiana gjeti telefonin e saj. Nuk kishte sinjal, pasi rrjeti celular kishte rënë, por ajo vendosi të regjistronte një video, me shpresën se një ditë do të mund ta dërgonte.
“Në apartamentin Ritamar Palace pati një tërmet dhe shumë rrënoja kanë rënë. Nuk ka drita. Askush nuk po vjen të na shpëtojë. Jam vetëm. Shumë fqinj janë bllokuar nën rrënoja. Kemi nevojë për ndihmë,” dëgjohet të thotë ajo në video.
Ndërkohë, Viktor u ngjit mbi rrënoja dhe filloi ta thërriste. Këtë herë Fabiana e dëgjoi dhe iu përgjigj.
“U ktheva nga të gjithë dhe bërtita: ‘Vajza ime është gjallë’. Njerëzit filluan të vinin me mjete pune, por zjarrfikësit thanë se ishte e pamundur të arrinin deri tek ajo dhe u larguan,” tregon Karina.
Pak orë më vonë mbërriti një ekip tjetër zjarrfikësish, i cili premtoi se do ta nxirrte Fabianën, por edhe ata nuk arritën ta shpëtonin.
Ndërkohë, Viktori vazhdonte të kthehej te vendi ku mund të komunikonte me të për t’i dhënë zemër. Zjarrfikësit kërkuan ndihmën e një ekipi shpëtimi nga Karakasi, por kur ai mbërriti kishte rënë nata.
Karina vrapoi duke kërkuar elektrikë dore dhe iu lutej njerëzve ta ndihmonin. Shtatë motoçikleta dhe disa makina ndriçuan rrënojat me fenerët e tyre.
Dalëngadalë ekipet hapën një vrimë aq të madhe sa më në fund mundën ta shihnin Fabianën. Videoja e këtij momenti, ku vajza buzëqeshte nga vrima mes rrënojave, u bë virale në Venezuelë.

“Pas kaq shumë orësh e mbyllur, u mbusha me gëzim kur i pashë. E kuptova se do të shpëtoja,” thotë ajo.
Rreth orës 02:00 të së premtes, 32 orë pas tërmeteve, ekipet arritën të hapnin një tunel mjaftueshëm të madh për ta nxjerrë jashtë.
Fabiana doli nga rrënojat e mbështetur nga shpëtimtarët dhe u hodh në krahët e nënës. “Kur dola, pashë familjen time dhe pashë pallatin të shembur plotësisht. Më dukej sikur nuk ishte e vërtetë, si një serial televiziv.”
Karina thotë se nga afro 50 banorët e pallatit, vetëm tre persona u nxorën gjallë. Deri të dielën, autoritetet kishin konfirmuar 3.342 viktima nga tërmetet, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultonin ende të zhdukur.
Përveç një frakture në këmbën e majtë dhe disa gërvishtjeve e mavijosjeve, Fabiana nuk pësoi lëndime të tjera. Ajo tani jeton me gjyshen.
“Në fillim kisha frikë të shtrihesha, sidomos me shpinë, sepse më kujtoheshin orët që kalova nën rrënoja,” thotë ajo.
Jashtë shtëpisë ku jeton tani, në La Guaira, shihen ende shumë ndërtesa të shembura. “Ka një trishtim të madh përreth. Më dhemb zemra kur mendoj për fqinjët dhe miqtë e mi. Do të na duhet kohë të rimëkëmbemi, por do ta vazhdojmë jetën,” thotë Karina. “Çfarë mund të kërkojë më shumë një nënë? Vajza ime është gjallë.”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





