Hegseth: Ushtria amerikane do të nisë kontrollin për mungesën e testosteronit

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar se personeli ushtarak i moshës 30 vjeç e lart do t’i nënshtrohet kontrollit për mungesën e testosteronit si pjesë e kontrolleve vjetore shëndetësore.
Në një video të publikuar në platformën X, të shoqëruar me mbishkrimin “High-T Department”, Hegseth tha se po autorizon programin e ri të testimit për të siguruar që ushtarakët të kenë nivelet e duhura të testosteronit, në mënyrë që të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme fizike dhe operative.
Ushtarakëve që rezultojnë me nivele të ulëta të testosteronit do t’u ofrohet, në mënyrë vullnetare, terapi zëvendësuese hormonale. Për personelin nën moshën 30 vjeç, testimi do të jetë opsional.
Hegseth nuk sqaroi nëse programi i kontrollit do të zbatohet edhe për gratë, të cilave gjithashtu u bien nivelet e testosteronit me kalimin e moshës.
“U detyrohemi luftëtarëve tanë kujdesin më të mirë mjekësor në botë dhe ky program përmbush këtë detyrim”, tha Hegseth në videon e publikuar.
“Kujdesi për shëndetin afatgjatë do të thotë të sigurohemi që të mbeteni të fortë, të qëndrueshëm dhe të aftë, jo vetëm për misionin e radhës, por edhe për pjesën tjetër të jetës suaj, në mënyrë që të vazhdoni të jetoni mirë edhe pasi të hiqni uniformën”, shtoi ai.
Përdorimi i testosteronit për arsye jo mjekësore, si rritja artificiale e masës muskulore pa recetë dhe mbikëqyrje mjekësore, është rreptësisht i ndaluar në ushtrinë amerikane.
Hegseth theksoi se programi i ri “nuk ka të bëjë me përmirësimin artificial të performancës”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se kontrolli i detyrueshëm për mungesën e testosteronit hyn në fuqi menjëherë për të gjithë personelin aktiv dhe rezervistët mbi moshën 30 vjeç.
“Sistemi i ri do t’i mundësojë Departamentit të krijojë një bazë të plotë të të dhënave dhe të ofrojë terapi të synuar me testosteron, duke siguruar një forcë ushtarake të shëndetshme, të aftë dhe me gatishmëri maksimale”, tha ai.
I pyetur nëse programi do të përfshijë edhe gratë dhe nëse ato do të mund të vlerësohen për terapi me estrogjen gjatë periudhës së perimenopauzës, Pentagoni deklaroi se nuk kishte komente shtesë përtej deklaratave të Hegseth dhe Parnell.
Senatorja demokrate Tammy Duckworth nga Illinoisi, veterane e luftës në Irak dhe anëtare e Komisionit për Forcat e Armatosura, kërkoi që testimet hormonale të ofrohen si për burrat ashtu edhe për gratë.
Ndërkohë, kongresistja demokrate Chrissy Houlahan nga Pensilvania, gjithashtu veterane e Forcave Ajrore, e cilësoi nismën në platformën X si “obsesionin më të fundit të Hegseth me luftërat kulturore”.
Dr. Mohit Khera, profesor i urologjisë në Kolegjin e Mjekësisë Baylor dhe drejtues i një paneli ekspertësh të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) për testimin dhe përdorimin e testosteronit në ushtri, deklaroi për BBC se të gjithë burrat mbi moshën 30 vjeç duhet të kontrollohen, pasi testosteroni është një nga treguesit kryesorë të gjendjes aktuale dhe të ardhshme shëndetësore.
“Sfida është se shumë burra të rinj kanë nivele të ulëta të testosteronit, gjë që i vendos në disavantazh për sa i përket masës muskulore, energjisë dhe aftësisë fizike, faktorë që mund të kenë rëndësi në situata luftarake”, tha ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se testosteroni nuk duhet të përshkruhet vetëm mbi bazën e një analize laboratorike.
“Duhet pasur kujdes që një personi të mos i jepet testosteron vetëm sepse ka nivel të ulët. Ai duhet të ketë edhe simptoma që lidhen me mungesën e hormonit”, u shpreh Khera.
Sipas tij, terapia zëvendësuese me testosteron mund të rrisë masën muskulore, të ulë depozitimin e yndyrës, të zvogëlojë rrezikun për depresion dhe, me kalimin e kohës, të përmirësojë dendësinë minerale të kockave.
Megjithatë, ai theksoi se kjo terapi nuk është e përshtatshme për të gjithë. “Nëse të rinjtë marrin testosteron, ai mund t’i bëjë ata jopjellorë. Prandaj duhet pasur shumë kujdes, sidomos te personat që janë në moshë riprodhuese, të cilët duhet të informohen për këtë rrezik”, tha ai.
Khera shtoi gjithashtu se ekziston edhe mundësia e një rreziku të shtuar për probleme kardiovaskulare, megjithëse kjo mbetet objekt studimi.
Njoftimi i Hegseth vjen në një kohë kur Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., dhe zyrtarë të tjerë të administratës kanë kërkuar lehtësimin e procedurave që u mundësojnë mjekëve të përshkruajnë terapi me testosteron.
Kennedy e ka paraqitur këtë terapi edhe si një nga mënyrat për të adresuar atë që ai e ka quajtur “krizë të fertilitetit” në Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) kërkoi heqjen e disa paralajmërimeve mbi etiketat e produkteve të terapisë me testosteron dhe propozoi lehtësimin e kufizimeve për përshkrimin e këtyre preparateve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





