Konflikti me Izraelin, Trump premton ndihmë për Libanin

Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të “ndihmojnë” Libanin gjatë takimit me homologun libanez Joseph Aoun në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi u zhvillua këtë të martën, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë përparimin në pjesën jugore të Libanit.
Trump, duke folur për gazetarët bashkë me Aoun, u pyet nëse do të ketë një afat kohor për tërheqjen izraelite.
“Ata janë në proces. Janë në proces të ridislokimit në zona të tjera”, tha Trump.
Izraeli nuk ka tërhequr forcat nga asnjë zonë që ka pushtuar që nga marsi. Të hënën, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi krijimin e “zonës së parë pilot” sipas një kuadri midis Libanit dhe Izraelit.
Këto zona synojnë vendosjen e ushtrisë libaneze në fshatra të mëparshëm të pushtuar, sigurimin e mungesës së pranisë ushtarake të Hezbollahut, fillimin e rindërtimit dhe kthimin e banorëve. Megjithatë, tre fshatrat e shpallura në zonën e parë pilot nuk ishin nën kontroll izraelit, prandaj Izraeli nuk u tërhoq prej tyre.
Nga ana e tij, Joseph Aoun falënderoi presidentin amerikan dhe marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Libanit dhe Izraelit, e cila kushtëzon tërheqjen izraelite me çarmatimin e Hezbollahut.
“Desha të falënderoj Presidentin Trump dhe ekipin e tij për vizitën historike dhe arritjen historike që bëmë së bashku duke nënshkruar kuadrin, me objektivin përfundimtar të mbylljes së gjendjes së armiqësisë midis Libanit dhe Izraelit përgjithmonë”, tha Aoun.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





