Milionerët kërkojnë më shumë taksa/Mbi 120 britanikë të pasur kërkojnë nga qeveria rritje të taksave për pasuritë e mëdha

Botë | 2 muaj më parë

Më shumë se 120 milionerë britanikë i kanë kërkuar kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, të vendosë taksa më të larta për shtresat më të pasura të vendit. Mes nënshkruesve të letrës së hapur janë ish-futbollisti Gary Lineker, producenti muzikor Brian Eno dhe emra të tjerë të njohur të biznesit dhe artit.

Letra është organizuar nga grupi “Patriotic Millionaires”, i cili argumenton se të pasurit duhet të kontribuojnë më shumë për të ulur pabarazinë dhe për të financuar shërbimet publike. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për rritje taksash për qytetarët që jetojnë nga paga, por vetëm për ata që zotërojnë pasuri të mëdha. Grupi propozon vendosjen e një takse vjetore prej 2 për qind mbi pasuritë që kalojnë 10 milionë paund.

Në letër thuhet se investimet janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe se një pjesë e madhe e pasurisë së pataksuar ndodhet pikërisht te milionerët. Sekretarja kryesore e Thesarit, Emma Reynolds, e mirëpriti gatishmërinë e tyre për të paguar më shumë, por theksoi se çdo ndryshim në sistemin tatimor do të shpallet në buxhetin e ardhshëm të qeverisë.

Ndërkohë, Brian Eno deklaroi se sistemi aktual është tepër favorizues për njerëzit e pasur, të cilët shpesh përdorin ekspertë financiarë për të ulur detyrimet tatimore. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se rritja e taksave do të shkaktonte largimin masiv të milionerëve nga vendi. Sipas tij, shumica zgjedhin të qëndrojnë sepse vlerësojnë shërbimet publike dhe duan një shoqëri më të drejtë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme