Koçiu prezanton në Durrës programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”: Mbështetje financiare dhe ekspertizë për bizneset e vogla

Aktualitet | 2 muaj më parë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi këtë të shtunë një sipërmarrje në zonën e Spitallës, në Durrës, ku prezantoi programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë e re që synon të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Gjatë vizitës, Koçiu theksoi se programi është hartuar për t’iu përgjigjur nevojave konkrete të sipërmarrjeve, duke ofruar financim me kushte të favorshme, garanci sovrane dhe mbështetje për investime që nxisin rritjen dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Ajo nënvizoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 98% të bizneseve që operojnë në vend, ndërsa vetëm rreth një e katërta e tyre arrijnë të përfitojnë kredi nga institucionet financiare.

“Sot ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 98% të sipërmarrjeve që operojnë në vend, ndërsa vetëm rreth një e katërta e tyre arrijnë të marrin kredi nga institucionet financiare. Pikërisht për këtë arsye menduam se programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ është instrumenti i duhur për t’u dhënë mundësinë këtyre bizneseve të rriten dhe të zhvillohen,” u shpreh Koçiu.

Sipas saj, përveç mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ofrojë edhe asistencë teknike për hartimin e planeve të biznesit, me synimin që aplikimet të jenë sa më të plota dhe të kenë më shumë mundësi për t’u miratuar nga bankat.

“Qëllimi ynë është që kushdo që ka një ide të qartë për zhvillimin e biznesit të tij të ketë mundësinë të aplikojë. Ministria e Ekonomisë ka marrë të gjitha masat për të ofruar asistencën e nevojshme në hartimin e planeve të biznesit, duke lehtësuar edhe procedurat e vlerësimit nga institucionet bankare”, deklaroi Koçiu.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një iniciativë e Qeverisë Shqiptare, në partneritet me sistemin bankar, që u krijon ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe fermerëve, mundësi të reja financimi për të investuar, modernizuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme