Ekspozitë e arteve figurative në kalanë e Argjirosë/Veprat e artistëve Gjirokastritë riekspozohen pas 35 vitesh
Janë vepra të artistëve gjirokastritë të punuara ndër vite, që sot riekspozohen pas 3 dekadash e gjysmë. Kanë dalë nga fondi i ish galerisë së arteve të ruajtura në arkivin e muzeut Gjirokastra për t’u shijuar nga qytetarët dhe vizitorët që ky qytet pret nga çdo cep i botës.
“Pas 35 vitesh, rihapet sërish Galeria e Arteve në ambientet e Muzeut të Gjirokastrës. Të gjitha veprat janë realizuar kryesisht nga autorë gjirokastritë gjatë periudhës 1950–1990. Gjatë gjithë kësaj kohe, ato janë ruajtur në arkivin e muzeut, ndërsa së fundmi u vendos që të ekspozohen përsëri për publikun. Ekspozita përfshin kryesisht piktura, si dhe skulptura të gdhendura në dru, gur dhe allçi”, u shpreh Alida Mati, cicerone.
Ish galeria e arteve në Gjirokastër përbëhej nga 300 vepra arti në pikturë, e skulpturë të cilat për shkak të ambientit të pamjaftueshëm nuk mund të ekspozohen së bashku, ndaj dhe nga drejtoria e muzeve ka ekspozuar një pjesë të këtij fondi.
“Mendoj se kjo galeri do të tërheqë vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Për vizitorët vendas, këto vepra nuk janë vetëm krijime artistike, por edhe pjesë e kujtesës dhe historisë së tyre. Ndërsa për vizitorët e huaj, ato do të shërbejnë si një mundësi për të njohur më mirë periudhën e realizmit socialist përmes artit dhe mesazheve që ai përcjell. Mendojmë që galerinë ta mbajmë të hapur gjatë gjithë sezonit turistik”, tha ajo.
Muzeu Gjirokastra vazhdimisht ka pritur artistë shqiptarë që kanë çelur ekspozita personale duke e prezantuar artin e tyre brenda kalasë së Argjiros.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





