Italia në alarm nga vala e të nxehtit, 25 qytete në nivelin më të lartë të rrezikut

Italia po përballet me një valë të fortë të nxehti që vazhdon të përfshijë pothuajse të gjithë vendin. Për ditën e sotme, 4 gusht, 25 nga 27 qytetet e monitoruara janë shpallur me “alarm të kuq”, niveli më i lartë i paralajmërimit për temperaturat ekstreme. Sipas meteorologëve, situata pritet të mbetet e pandryshuar të paktën deri të mërkurën.
Alarmi i kuq nënkupton se temperaturat dhe lagështia e lartë mund të kenë pasoja serioze për shëndetin, jo vetëm për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, por edhe për njerëzit e shëndetshëm. Në shumë zona temperaturat arrijnë ose tejkalojnë 40°C, ndërsa edhe netët mbeten shumë të nxehta.
Qytetet në alarm të kuq përfshijnë, mes të tjerash: Romën, Milanon, Napolin, Torinon, Bolonjën, Firencen, Venecian, Veronën, Palermon, Barin, Ankonën dhe Katanian. Vetëm Messina dhe Reggio Calabria mbeten në nivelin portokalli të alarmit.
Autoritetet italiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë ujë, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të kufizojnë aktivitetin fizik në natyrë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





