Terminali i ri në Sarandë, të moshuarit hasin vështirësi pas zhvendosjes së ndalesave

Aktualitet | 2 muaj më parë

Edhe pse në Sarandë është ndërtuar terminali i ri për të shmangur qarkullimin rrugor dhe për të lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe turistëve, kryesisht gjatë sezonit veror, jo të gjithë e shohin këtë si një zgjidhje të plotë.

Ky investim synon organizimin më të mirë të transportit dhe uljen e trafikut në qendër të qytetit, por në praktikë ka sjellë edhe sfida për disa kategori qytetarësh. Shoferët e linjave të fshatrave të zonës së Çamërisë, Finiqit dhe zonave përreth shprehen se po hasin problematika të vazhdueshme.

“Unë kam linjën e Dermishit edhe flas për linjën time. Unë nga fshatrat vetëm pensionist sjell në Sarandë. Plaku 70 vjeçar, 75 vjeçar të marrë ose tetë vjeçari të marrë, të zbresë nga mua, të marrë autobuzin e terminalit e të zbresë atje lart. Dhe kur vjen puna që të vijë në ngjitje lart, nuk vjen dot, nuk e zë dot linjën e Dermishit.Parkimin e kishim në parkim privat. Nuk ngatërronim asnjë gjë, nuk pengonim asnjë gjë, sepse na futën këtu. Hajde gjeje tani.”, tha qytetari.

Ndërkohë, linjat ndërqytetase e konsiderojnë terminalin si një zgjidhje pozitive, pasi sipas tyre ai sjell më shumë rregull dhe organizim në transport.

“Zgjidh shumë punë, na vjen shumë në ndihmë. Mirë është për ne. Ka dhe ankesa, për neve është mirë.”, tha një tjetër.

Ndërtimi i terminalit në Sarandë përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qarkullimit dhe organizimit të transportit publik, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme