Video/ Zjarri merr përmasa të frikshme në Priskë të Madhe, flakët rrezikojnë edhe zjarrfikësit në terren. Në ndihmë edhe 2 helikopterë
Situata vijon të jetë e vështirë në Priskë të Madhe, mbi Farkë dhe pranë Lundrës, ku një vatër zjarri e aktivizuar gjatë ditës së sotme po përhapet me shpejtësi, e favorizuar nga era e fortë, temperaturat e larta dhe terreni i vështirë. Në ndihmë nga ajri janë edhe nga 2 helikopterë, një Cougar dhe një Black Hawk.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve dhe vënien e situatës nën kontroll. Ndërhyrja paraqet vështirësi të mëdha, pasi era e fortë ka bërë që flakët të përhapen në mënyrë të menjëhershme, duke rrezikuar edhe efektivët që po luftojnë me zjarrin.
Një moment i tillë tensioni është regjistruar gjatë operacionit, kur një zjarrfikës u gjend përballë flakëve gjigante që u afruan me shpejtësi për shkak të erës.
“O Sokol, o Sokol, hipi makinës e ik!”, dëgjohet duke i thënë kolegu i tij, teksa e paralajmëron të largohet nga zona e rrezikut.
Në ato momente, flakët thuajse e përpinë zjarrfikësin, i cili po përpiqej të përballonte situatën me mjetin zjarrfikës. Pamjet tregojnë rrezikun me të cilin përballen efektivët gjatë ndërhyrjes në një terren ku zjarri mund të ndryshojë drejtim brenda pak çastesh.
Deri tani nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, por situata mbetet emergjente për shkak të intensitetit të zjarrit dhe kushteve atmosferike.
Në terren janë angazhuar edhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve.
Forcat e emergjencës vijojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetëve dhe parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




