Krujë/ Flakët përfshijnë Abazen, Nufi: Situatë jo e lehtë, Forcat e Armatosura në terren për mbrojtjen e banorëve

Zjarret në lagjen Abaze të Krujës kanë vijuar me intensitet edhe gjatë natës, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët dhe strukturat e emergjencave. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Forcat e Armatosura ndodhen në terren në mbështetje të operacionit për përballimin e flakëve, frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.
“Në kushtet e një situate jo të lehtë në lagjen Abaze në Krujë, Forcat tona të Armatosura janë në këta momente në terren në mbështetje të operacionit në përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës”, u shpreh ministri.
Ministri deklaroi se efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë së bashku me strukturat e tjera të emergjencave për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Ai theksoi se forcat janë angazhuar edhe në zona të tjera të vendit ku janë raportuar vatra zjarri, përfshirë Lurën, Mallakastrën, Vaun e Dejës, Mirditën dhe zonat e Priskës, Daiasit dhe Farkës.
Sipas tij, ndërhyrja e strukturave vendore të zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura ka bërë të mundur që situata në shkallë kombëtare të jetë nën menaxhim, pa rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe banesat e qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




