LDK tërhiqet nga marrëveshja me Kurtin për të qenë në qeveri, Abdixhiku: Do qëndrojmë në opozitë

Kosovë | 2 muaj më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij ka vendosur të heqë dorë nga çdo kërkesë për poste politike në qeveri dhe në këto rrethana do të qëndrojë në opozitë.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se partia nuk do ta kthejë zhgënjimin politik në bllokadë dhe se mbetet e gatshme të kontribuojë për zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë.

“Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se LDK ka hequr dorë nga të gjitha postet që i ishin ofruar, përfshirë kryesimin e Kuvendit, tri ministritë e propozuara në takimin me Albin Kurtin, si dhe postin e Presidentit.

Sipas Abdixhikut, qëndrimi i LDK-së është që institucionet të krijohen dhe vendi të dalë nga kriza përmes zgjedhjes së një presidenti konsensual.

“Kemi hequr dorë nga të gjitha postet, qoftë kryetarin e Kuvendit, qoftë tri ministritë e ofruara në takim me Kurtin, qoftë edhe postin e Presidentit. Ne mbështesim krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual për ta zhbllokuar krizën”, u shpreh ai.

Deklarata e Abdixhikut vjen në një moment kur Kosova vijon të përballet me ngërçin politik dhe institucional, për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme