Tensione diplomatike Ankara-Tel Aviv, Turqia lëshon urdhër arresti ndërkombëtar për Netanyahun, kërkesa i dorëzohet Interpol-it

Botë | 3 muaj më parë

Tensionet diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit kanë arritur një nivel të ri përshkallëzimi pas vendimit të Ankarasë zyrtare për të kërkuar arrestimin ndërkombëtar të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Ministria e Drejtësisë e Turqisë i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme lëshimin e një “njoftimi të kuq” pranë Interpol-it për Netanyahun dhe shtetasin izraelit Afek Moskovitch, në kuadër të hetimeve për ndalimin e Flotiljes Sumud majin e kaluar.

Sipas autoriteteve turke, procedurat ligjore lidhen me operacionin ushtarak izraelit në ujërat ndërkombëtare, ku u ndaluan rreth 430 aktivistë nga dhjetëra anije që lundronin drejt Gazës.

Akuzat e Ankarasë dhe mesazhi për “pandëshkueshmërinë”

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, bëri të ditur se hetimet përfshijnë akuza të rënda si gjenocid, krime kundër njerëzimit, privim të paligjshëm nga liria dhe torturë ndaj aktivistëve të ndaluar.

“Ne absolutisht nuk e pranojmë idenë se qeveria Netanyahu, e cila po ndjek një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe e pandëshkueshme. Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen, dhe as ata që janë përgjegjës nuk do të mbrohen nga një mburojë pandëshkueshmërie,” deklaroi Gurlek.

Zyrtari turk nëvizioi se Ankaraja do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare për të çuar përpara çështjen, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për kauzën palestineze.

Reagimi i Tel Avivit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i është përgjigjur me tone mjaft të ashpra kërkesës së Turqisë, duke hedhur poshtë legjitimitetin e procedurave ligjore të ndërmarra nga Ankaraja dhe duke akuzuar drejtpërdrejt udhëheqjen turke.

“Erdogani është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u ka dhënë strehim terroristëve të Hamasit, ka pushtuar gjysmën e Qipros dhe ka burgosur një numër rekord gazetarësh e kundërshtarësh politikë. Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit nuk do të ketë sukses,” u shpreh Netanyahu.

Përplasja e fundit pasqyron krizën e thellë politike e diplomatike mes dy vendeve, e cila vijon të përkeqësohet me zgjerimin e aktiviteteve ushtarake dhe përplasjeve verbale në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme