Lufta dhe ndryshimet klimatike/ Kina përuron “Rrugën e Mëndafshit të Akullt”, drejt Europës nga Arktiku

Kina ka nisur shërbimin e parë të rregullt me anije kontejnerësh përmes Rrugës Detare Veriore (NSR), duke hapur një korridor të ri tregtar mes Azisë dhe Evropës përmes ujërave të Arktikut.
Kompania kineze e transportit Sea Legend nisi më 15 gusht shërbimin China-Europe Arctic Express, me anijen Dubai Tower, e cila u nis nga porti Ningbo-Zhoushan drejt Evropës. Shërbimi parashikon disa udhëtime sezonale midis gushtit dhe tetorit, me ndalesa në porte si Felixstowe në Britani, Roterdam, Hamburg dhe Gdynia.
Rruga e re, e cila përshkon rreth 5,500 kilometra përgjatë bregdetit verior të Rusisë, mund ta shkurtojë ndjeshëm kohën e transportit mes Kinës dhe Evropës. Udhëtimi nga Ningbo-Zhoushan drejt porteve të Evropës veriore mund të zgjasë rreth 18-21 ditë, ndërsa përmes Kanalit të Suezit mund të nevojiten më shumë se 40 ditë.
Pikërisht ky avantazh kohor po i jep shtysë asaj që po quhet “Rruga e Mëndafshit e Akullt”, një ide që Kina e ka promovuar prej vitesh si pjesë të ambicieve të saj për të zgjeruar lidhjet tregtare dhe strategjike me Evropën përmes Arktikut.
Një rrugë e re që po hapet nga shkrirja e akujve
Rruga Detare Veriore nuk është e lundrueshme gjatë gjithë vitit. Ajo bëhet e aksesueshme kryesisht gjatë muajve të verës, kur akulli detar tërhiqet dhe krijon një dritare për transportin. Por kjo dritare po zgjerohet.
Shkrirja e akujve të Arktikut, e lidhur me ndryshimet klimatike, po krijon kushte që e bëjnë lundrimin në këtë zonë të mundur për periudha më të gjata. Kështu, ajo që dikur ishte një pengesë natyrore po shndërrohet gradualisht në një korridor të ri të transportit ndërkombëtar.
Për Kinën, përfitimi është i qartë: më pak kohë në det, distanca më të shkurtra dhe një alternativë ndaj rrugëve tradicionale që kalojnë përmes pikave të ngarkuara dhe të ekspozuara ndaj krizave, si Kanali i Suezit dhe ngushtica e Hormuzit.
Interesi nuk është vetëm kinez. Japonia, Koreja e Jugut dhe India kanë shprehur gjithashtu interes për përdorimin e rrugëve arktike, ndërsa Koreja e Jugut ka nisur këtë muaj udhëtimin e saj të parë tregtar përmes Arktikut.
Për kompanitë kineze, rruga mund të jetë veçanërisht e përshtatshme për mallra me vlerë të lartë dhe ngarkesa të ndjeshme ndaj temperaturës, si automjetet elektrike, bateritë e litiumit, sistemet e ruajtjes së energjisë dhe panelet diellore.
Rusia kontrollon portën e re drejt Evropës
Pavarësisht se iniciativa është nxitur fuqishëm nga Kina, korridori kalon përgjatë territorit detar të Rusisë dhe Moska ka kontroll të rëndësishëm mbi të.
Kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, Rosatom, administron lejet e lundrimit dhe mbikëqyr aktivitetin në Rrugën Detare Veriore. Ajo ofron gjithashtu akullthyeset me energji bërthamore që nevojiten për të shoqëruar anijet në pjesë të rrugës.
Kjo e bën Arktikun jo vetëm një çështje tregtare, por edhe një çështje strategjike.
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje që në vitin 2017 për bashkëpunim me Rusinë për zhvillimin e rrugëve detare të Arktikut dhe ndërtimin e një “Rruge Polare të Mëndafshit”.
Fillimisht, Moska ishte e kujdesshme ndaj zgjerimit të rolit të Kinës në Arktik. Por pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës dhe përkeqësimit të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin, varësia e Moskës nga Pekini është rritur, duke i dhënë Kinës më shumë ndikim dhe akses në rajon.
Në të njëjtën kohë, sanksionet ndaj Rusisë krijojnë një tjetër problem: në rast të një aksidenti ose avarie, operacionet e shpëtimit dhe asistencës mund të komplikohen për shkak të kufizimeve ndërkombëtare dhe varësisë nga infrastruktura ruse.
“Autostrada e ngrirë” dhe flota fantazmë
Arktiku po tërheq gjithashtu një tjetër lloj trafiku: të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë.
Bëhet fjalë kryesisht për cisterna që operojnë shpesh me sigurime ose mbikëqyrje të kufizuara dhe përdoren për të transportuar naftë duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Sipas Bellona Environmental Foundation, një organizatë mjedisore ndërkombëtare, e themeluar në Norvegji në 1986, në vitin 2025 rreth 100 anije nën sanksione ndërkombëtare përdorën Rrugën Detare Veriore, pothuajse një e treta e anijeve të mallrave që lundruan në këtë korridor. Raportet sugjerojnë se aktiviteti i kësaj flote është rritur edhe gjatë vitit 2026, ndërsa kushtet më të buta të verës kanë lehtësuar lundrimin.
Së fundmi, një konvoj i pazakontë cisternash ruse u vu re duke ndjekur një trajektore shumë në veri përmes NSR-së. Flota, që raportohet se transportonte rreth 8 milionë fuçi naftë, kaloi brenda rreth 500 miljeve nga Poli i Veriut.
Përfitimet mjedisore janë të diskutueshme
Sea Legend argumenton se rruga më e shkurtër mund të ulë ndjeshëm emetimet, pasi anijet kalojnë më pak kohë në det. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk e bën automatikisht transportin arktik më të pastër.
Një prej shqetësimeve kryesore është përdorimi i naftës së rëndë (HFO). Një derdhje e këtij karburanti në Arktik do të ishte veçanërisht problematike: ai është më i trashë se karburantet e tjera, pastrohet me vështirësi dhe në temperaturat e ulëta shpërbëhet shumë më ngadalë. Nëse bllokohet në akull, heqja e tij bëhet edhe më e vështirë.
Rreziku shtohet nga izolimi i rajonit. Ekipet e specializuara të ndërhyrjes mund të kenë nevojë për javë të tëra për të arritur në vendin e një aksidenti.
“Për shkak të largësisë së rajonit dhe mungesës së mbështetjes logjistike, probabiliteti i një defekti të zgjatur mekanik dhe, si pasojë, i daljes së anijes në breg është shumë më i lartë”, thotë Nitin Chopra, këshilltar kryesor për rrezikun detar në Azi pranë Allianz.
Një tjetër kërcënim është karboni i zi, një prej emetimeve që krijohen nga djegia e karburanteve të rënda. Kur depozitohet mbi borë dhe akull, ai ul aftësinë e sipërfaqes për të reflektuar rrezet e diellit, duke rritur përthithjen e nxehtësisë dhe duke kontribuar në ngrohjen e mëtejshme të Arktikut.
Kështu krijohet një paradoks: ndryshimet klimatike po ndihmojnë në hapjen e një rruge të re tregtare, ndërsa zgjerimi i transportit në Arktik mund të shtojë presionin mbi të njëjtin ekosistem që po ndryshon.
Një alternativë për Suezin dhe Hormuzin?
Lufta dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë rikthyer në vëmendje dobësitë e rrugëve tradicionale të tregtisë.
Kriza rreth Detit të Kuq, pasiguritë në ngushticën e Hormuzit dhe rreziku i ndërprerjeve në Kanalin e Suezit kanë nxitur kompanitë dhe shtetet të kërkojnë korridore alternative.
Në këtë kuadër, Arktiku po shfaqet si një mundësi strategjike. Por ekspertët paralajmërojnë se Rruga Detare Veriore nuk është ende në gjendje të zëvendësojë Suezit apo Hormuzin.
Sezoni i shkurtër i lundrimit, kushtet ekstreme të motit dhe akullit, nevoja për akullthyese, kostot e larta të operimit, infrastruktura e kufizuar dhe rreziqet politike e sanksionet mbeten pengesa të mëdha.
Ekonomikisht, për momentin, llogaritë nuk janë ende bindëse për ta kthyer Arktikun në një alternativë globale ndaj rrugëve tradicionale.
Por fakti që Kina ka kaluar nga udhëtimet eksperimentale në një shërbim të rregullt sezonal tregon se diçka ka ndryshuar.
Një pjesë e Arktikut që dikur ishte e paarritshme po bëhet korridor tregtar. Dhe ndërsa akulli tërhiqet, Kina, Rusia dhe fuqitë e tjera po garojnë për të përcaktuar se kush do të kontrollojë rrugët e reja që po hapen në veri.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








